88 gjyqtarë mbyllën garimin e tyre për gjykatën më të përfolur në vend këto vitet e fundit nga politika e cila ende mbetet në ngërç, ku vetëm 43 prej konkurentëve pritet të shpallen fitues si gjyqtarët e ardhshëm të Gjykatës Administrative.

Testimi, i cili zgjati dy ditë, kishte një fond prej këtij formati të shpërndarë me herët nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë prej 1 mijë pyetjesh dhe cdo test për pretendentët  kishte 100 pyetje.

Jo zyrtarisht mësohet se vetëm 2 gjyqtarë nuk kanë kaluar pragun e 70 pikëve të vendosura si kufi nga KLD, ndërkohë që emrat e fituesve do të zyrtarizohen vetëm në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Testimit, e po ashtu anëtari i KLD, Ilir Mustafaj jep detaje të këtij konkurrimi, i cili sidoqoftë nuk do të na sjellë një Gjykatë Administrative pa kaluar në parlament ligji për Gjykatën e Lartë.
“Ne kemi respektuar detyrimin e ligjit 49 të vitit 2012 në lidhje me testimin e gjyqtarëve. Në momentin që do të miratohet ligji për Gjykatën e Lartë, do të nisë funksionimi i Gjykatës Administrative. Ligji ka të përcaktuar që Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në bazë të ligjit 49 të vitit 2012 merr masat që të bëjë testimin për gjyqtarët, për fituesit, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë merr masat për infrastrukturën, ndërsa funksionimi nis me miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë”, thotë gjyqtari Ilir Mustafaj.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të shpallë fituesit pikërisht për gjashtë Gjykata Administrative të Shkallës së parë me nga 4 gjyqtarë secila për rrethet Vlorë, Shkodër, Durrës, Korçë, Gjirokastër ku numrin më të madh e ka ajo e kryeqytetit me 16, ndërsa Gjykata e Apelit Administrativ është parashikuar të ketë shtatë gjyqtarë. Kjo gjykatë do ta ketë selinë në ambientet e përfunduara tashmë në Gjykatën e Apelit Tiranë.

“Të gjithë kandidatët, edhe ata për Apelin Administrativ dhe ata të Shkallës së Parë, në këto dy ditë kanë marrë rezultatet, atëherë Komisioni i Vlerësimit në bazë të rezultateve do t’i përcjellë KLD-së dhe ky i fundit mbi bazën e këtyre rezultateve dhe përcaktimit të ligjit do të përcaktojë fituesit në Apel dhe Shkallën e Parë”, tha Mustafaj.

Në qershor të vitit të kaluar hyri në fuqi ligji për Gjykatën Administrative, ndërkohë që pas mbylljes së testimit për gjyqtarët administrative, tashmë i mbetet Ministrisë së Drejtësisë të mbyllë cështjen e ambienteve për këtë gjykatë, ndërsa politikës të votojë ligjin për organizimin e Gjykatës së Lartë ku dhe përfshihet shkalla e fundit e Gjykatës Administrative .

Top Channel