Erdogan do vizitojë Gazan

26/03/2013 00:00

Kryeministri turk, Recep Taip Erdogan pritet të ndërmarrë një udhëtim së shpejti drejt Lindjes së Mesme për të vizituar kryesisht territoret palestineze.

Plani për vizitën është njoftuar nga vetë Erdogan gjatë një fjalimi para deputetëve të partisë së tij. Kryeministri turk tha se do të vizitojë Gazan për t’u njohur nga afër me situatën humanitare të krijuar nga bllokada izraelite në territoret palestineze.

Në përbërjen edelegacionit të Erdogan do të jenë edhe përfaqësues të një sërë organizatash humanitare joqeveritare turke të angazhuara në ndihmën për palestinezët në Gaza.

Paralajmërimi i vizitës së Erdogan mbërrin pak ditë pas ndjesës zyrtare të kërkuar nga Izraeli për incidentin e vitit 2010. Një sulm blitz i forcave speciale izraelite, vrau 9 aktivistë turq në anijen “Mave Marmara” e ngarkuar me ushqime dhe medikamente mjekësore për palestinezët.

Incidenti ashpërsoi gjuhën diplomatike mes dy vendeve, ndërsa brenda pak javësh, Ankaraja shkëputi të gjitha marrëdhëniet me Tel Avivin duke këmbëngulur në kërkesën e ndjesës së këtij të fundit. Ndjesa mbërriti dy vite më vonë, teksa Izraeli vizitohej nga presidenti amerikan, Barack Obama.

Turqia dhe Izraeli janë dy aleatët strategjikë të Uashingtonit dhe acarimi i marrëdhënieve mes tyre vendosi në një situatë të sikletëshme Departamentin e Jashtëm.

Top Channel