Dhuna në Siri, OKB tërheq stafin

26/03/2013 15:40

Organizata e Kombeve të Bashkuara tërhoqi pjesërisht stafin e mbetur në Siri, pas bombardimit me artileri pranë selisë së saj në Damask, informuan mediat ndërkombëtare ditën martë.

“Në dy ditët e fundit, një numër predhash mortaje ranë në afërsi të hotelit, ku stafi i OKB-së qëndron në Damask”, deklaroi zëdhënësi i misionit, Martin Nesirky.

“Zjarri i artilierisë ka shkaktuar disa dëme në ndërtesë dhe në disa makina, përfshi një makinë të misionit tonë. Për arsye sigurie, kemi vendosur që të reduktojmë pjesërisht prezencën e stafit ndërkombëtar në Damask”.

Nesirky saktësoi se stafi i tërhequr do të vazhdojë të kryejë të njëjtën detyrë, vetëm se duke qëndruar jashtë vendit.

Një diplomat, i cili refuzoi të identifikohej pasi kishte marrë urdhër për të mos folur, bëri me dije për “CNN” se më pak se gjysma e 100 anëtarëve të stafit, vazhdon të mbetet në Siri.

Largimi i të gjithë stafit joesencial të OKB-së është një tregues i qartë i përshkallëzimit të krizës në Siri, vend ku gjatë dy viteve të luftës civile, më shumë se 70 mijë persona kanë humbur jetën dhe mbi një milionë sirianë janë shpërngulur në vendet fqinje.

Top Channel