SHBA-Kore e Jugut, plan kundër veriut

25/03/2013 00:00

Koreja e Jugut ka firmosur një plan të ri ushtarak me Shtetet e Bashkuara për t’i bërë ballë atyre që autoritetet e dy vendeve i quajnë “provokime” të Koresë së Veriut.

Plani parashikon një përgjigje të përbashkët të dy vendeve në rast të një sulmi të kufizuar nga Veriu, njoftojnë autoritetet. Ndihma nga Shtetet e Bashkuara, që ka 28 mijë trupa në Korenë e Jugut, ka qenë deri më sot fakultative për incidente të vogla.

Tensionet në gadishullin korean mbeten të larta që kur Veriu kreu testin e tretë bërthamor muajin e kaluar.

SHBA i ofrojnë Koresë së Jugut një “mburojë bërthamore”, por ekspertët e luftës së ftohtë kanë vënë në dukje se, ndërsa përmbajtja e sulmeve atomike mund të zgjidhë problemin e luftës, ajo nuk zgjidh dot atë të incidenteve të vogla.

Në bazë të planit të ri, Koreja e Jugut do të jetë në gjendje të kërkojë asistencën e SHBA nëse Peniani vazhdon me kërcënimet e saj, si për shembull duke përsëritur sulmet në ishujt jugorë.

“Kjo do t’u mundësojë të dy vendeve t’i përgjigjen bashkarisht provokimeve nga Koreja e Veriut, me Jugun që do të marrë drejtimin dhe SHBA që do të ofrojnë mbështetje”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Seul ditën e hënë.

Sipas tij, efekti i këtij plani, i nënshkruar ditën e premte, do të jetë parandalimi i përpjekjeve të Veriut për të provokuar.

Mënyrat se si plani do t’u përgjigjet akteve provokuese përfshijnë: reagime ushtarake në zonat kufitare, fluturime të avionëve luftarakë në to, si dhe sulme në ishujt kufitarë, raporton agjencia e lajmeve “AFP”.

Plani i ri kishte nisur hartimin që në vitin 2010, pasi Koreja e Veriut goditi me raketë një ishull. Në të njëjtin vit një anije koreano-jugore u mbyt, ku si pasojë 46 marinarë humbën jetën. Jugu deklaroi se Veriu sulmoi anijen, por Peniani e mohon një gjë të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA