SHBA dorëzon burgun e Bagramit

25/03/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar kolegëve afganë burgun e vetëm nën kontroll amerikan, duke zgjidhur një çështje që kishte cënuar lidhjet mes dy vendeve.

Një ceremoni për transferimin e kompetencave u zhvillua në burgun e Bagramit, të cilit i është ndërruar emri në Qendra Kombëtare e Burgimit në Paruan.

Ceremonia ishte shtyrë disa herë derisa dy palët finalizuan një marrëveshje mbi fatin e të burgosurve të konsideruar si të rrezikshëm.

Dorëzimi i kompetencave erdhi pasi sekretari i Shtetit, John Kerry mbërriti në Afganistan në kuadër të një vizite të paparalajmëruar.

Ai do të takohet me presidentin Hamid Karzai për të diskutuar një seri çështjesh, si kalimi i sigurisë në duart e forcave afgane.

Burgu i Bagramit ka një reputacion famëkeq dhe në të kaluarën është bërë objekt debatesh për shkak të zërave mbi abuzimet me të burgosurit.

Ai dikur ishte vendosur në bazën ajrore të Bagramit, një nga bazat ushtarake më të madhe të forcave të NATO-s në Afganistan, rreth 40 kilometra në veri të kryeqytetit Kabul.

Qendra e re e burgimit në Paruan u ndërtua pak milje larg dhe u popullua menjëherë me të burgosur në vitin 2010.

“Transferimi i drejtimit të burgut është një pjesë e rëndësishme e proçesit të kalimit të sigurisë tek forcat afgane. Kjo ceremoni vë në dukje progresin e Afganistanit”, deklaroi gjenerali Dunford, komandant i forcave amerikane në Afganistan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA