Qipro, marrëveshje për daljen nga kriza

25/03/2013 00:00

Marrëveshja mes Qipros dhe Bashkimit Europian u arrit. Ministrat e Financave te Eurozonës miratuan paktin prej 10 miliardë eurosh, i nevojshëm për të shmangur kolapsin e sistemit financiar të Qipros.

Marrëveshja parashikon mbylljen e “Laiki Bank”, e dyta për nga madhësia në vend, kësisoj depozituesit që kanë mbi 100 mijë euro depozita do të përballen me humbje të mëdha. Ndërsa depozitat nën 100 mijë euro do të garantohen plotësisht. Klientët e Bankës së Qipros, shumë prej të cilëve rusë, sipas burimeve europiane, mund të pësojnë humbje deri në 40% të pasurisë së tyre.

Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijssel/bloem, gjatë një konference për shtyp në Bruksel, tha se “marrëveshja i jep fund pasigurimeve mbi ekonominë e Qipros”. Sipas tij, “marrëveshja është më e mirë për popullin qipriot se masat e gjera që u rrëzuan javën e kaluar nga Parlamenti i Qipros sepse përqendrohen në dy banka problematike dhe jo në të gjithë sektorin”.

Sa i takon përqindjes që do të vendoset mbi depozitat e mëdha, kjo do të zgjidhet javët e ardhshme. Komisioneri për Cështjet Ekonomike në BE, Oli Rehn, tha se “thellësia e kësaj krize financiare do të thotë se e ardhmja e afërt do të jetë e vështirë për vendin dhe popullin qipriot”. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Largard, tha se “ky është një pakt i besueshëm” që do të ndihmojë në kthimin e besimit në sistemin bankar.

Ministri qipriot i financave, Mikalis Sarris, beson se mundësia e kolapsit tashmë është larguar. “Nuk është se fituam një betejë, por ne shmangëm një dalje shkatërruese nga Eurozona”. Marrëveshja u konsiderua një lajm i mirë nga depozituesit e vegjël, por zyrtarët të vetëdijshëm pranojnë se vendi do të kalojë pragun duke hyrë në recesion dhe do t’i duhen vite për të rimarrë veten. Shumë biznese parashikohet të vuajnë, ndoshta edhe të mbyllen.

Sipas paktit, të gjithë depozitat nën 100 mijë euro do të jenë të siguruara. Përqindja e taksës mbi depozitat e kërkuara nga FMN ishte të mos i nënshtrohej aprovimit të Parlamentit qipriot. Pakti u arrit pas disa orësh negociatash aspak të lehta mes presidentit të Qipros, Nikos Anastasiadhes, dhe Trojkës: BE, Bankës Qendrore Europiane dhe FMN-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA