Pas dy vitesh krizë të rënduar energjetike, Shqipëria i është rikthyer eksporteve të energjisë elektrike. Burime nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bëjnë të ditur se aktualisht po eksportohet rreth 9 milionë kilovat/orë energji në ditë, por nga kjo sasi gjysma depozitohet në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër shitet.
Prej ditësh KESH është duke prodhuar me kapacitet maksimal. Sipas të dhënave zyrtare, tre hidrocentralet e mbetura ende publike në kaskadë prodhojnë mbi 22 milionë kilovat/orë energji në ditë, ndërsa së bashku edhe me hidrocentralet e tjera të shkëputura nga KESH, që ndodhen në proçes privatizimi, prodhimi total shkon në mbi 26 milionë kilovat/orë në ditë.
Por edhe me këtë prodhim, niveli i ujit në basene mbetet në kuotat maksimale, shumë pranë pikave kritike. Sipas të dhënave të KESH, në liqenin e Fierzës kuota e ujit është 293.6 metra, vetëm 2.5 metër nën pikën maksimale që imponon hapjen e portave.
Rënia e prurjeve dhe prodhimi maksimal ka bërë të mundur që prej disa ditësh kuotat e Fierzës të stabilizohen në këtë nivel. Por pritshmëritë për të tjera reshje masive gjatë ditëve të ardhshme kanë rikthyer ankthin e përmbytjeve të reja, që këtë radhë mund të jenë edhe me intensitet më të lartë.
Përtej përmbytjeve, në shkurt digat e hidrocentraleve shërbyen edhe si amortizator i prurjeve masive, për shkak se para nisjes së reshjeve, kuotat e Fierzës ishin rreth 280 metra.
Por tashmë basenet nuk kanë më hapsira rezervimi për prurje të reja dhe nëse, ashtu siç pritet, javët e ardhshme do të jenë me reshje të forta, zona veripërëndimore e vendit kërcënohet nga të tjera përmbytje, edhe më masive.
Top Channel