Roman Abramovich është ndaluar nga FBI në Nju Jork. Lajmi njoftohet nga mediat ruse të cilat citojnë një deklaratë të Alexander Dobrovinskit, avokati i Boris Berezovski, ish-ortak në biznes me padronin e Chelsea-t që u gjet i vrarë në banesën e tij në Londër ditën e shtunë.
Pyetjes nëse ndalimi i Abramovich ka patur lidhje me vdekjen e Berezovskit, avokati i të ndjerit iu përgjigj negativisht.
“Jo jo. Nuk bëhet fjalë për asgjë të rëndësishme. Është marrë në pyetje lidhur me dyshimet për pastrim parash”, tha ai.
Por menjëherë pas përhapjes së lajmit për arrestimin e tij, manjati rus i naftës dhe aluminit, përgënjeshtroi ndalimin nëpërmjet zëdhënësit të tij.
“Asgjë s’është e vërtetë. Abramovich ndodhet vërtet në Nju Jork, por as është arrestuar dhe as është pyetur nga FBI”, deklaroi zëdhënësi i tij, John Mann.
Lajmi për ndalimin e tij është përgënjeshtruar edhe nga klubi i futbollit i Chelsea-t. Tymnaja e lindur nga mediat ruse i është vënë kapaku nga vetë FBI. Zëdhënësi i federalëve amerikanë, Paul Bresson mohoi informacionet se Abramovic është arrestuar, ndaluar apo të ketë patur kontakte me agjentë të FBI-së.
Sipas revistës Forbes, Abramovich ndodhet në Nju Jork me mega-jahtin e tij “Eclipse” që prej muajit shkurt për të qenë pranë të fejuarës shtatzënë, Daria Zhukova e cila ka dashur që të lindë në Nju Jork fëmijën e saj.
Top Channel