Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto u thirr në intepelancë nga deputeti socialist, Erjon Braçe, i cili akuzoi qeverinë se ka monopolizuar pasuritë kombëtare dhe shërbimet.
“Kështu janë dhënë nga qeveria minierat e kromit, guroret, argjilat, çimentot. Ashtu janë dhënë burimet ujore për prodhimin e energjisë dhe për ndërtimin e porteve private, shërbimet e parkingjeve, ngarkim-shkarkimit, etj. Të gjitha janë ekskluzivitete të monopolit. Ata kanë pasuri për vete dhe fëmijët e tyre”, deklaroi Braçe.
“Nëse dekurajoni investitorët vendas dhe të huaj me ndërprerje konçesionesh kur të vini në pushtet, ju i bëni dëm biznesit, por mbi të gjitha shqiptarëve”, u përgjigj Haxhinasto.
Në një tjetër interpelancë nga deputeti socialist Et’hem Ruka, mbi ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, punimet e të cilit kanë përmbytur 80 për qind të tokës bujqësore në Luginën e Vjosës, ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto tha se është kompania konçensionare ajo që ka detyrimin ligjor të kryejë shpronësimet.
Por, sipas Haxhinastos, kjo nuk është kryer, ndërkohë që qeveria po sheh mundësinë e ndërprerjes së kontratës me kompaninë, pasi ajo ka shkelur të gjitha afatet e përfundimit të veprës.
“Ndërtimi i digës së Kalivaçit, e bërë me koncesion, është bërë duke dëmtuar komunat. Ujëmbledhësi i hidrocentralit përmbyt katër fshatra”, deklaroi Ruka.
“Ministria ka vlerësimet e saj për ketë kontratë dhe konçesionari ka vonesa serioze në përfundimin e punimeve, sipas nenit të marrëveshjes. Aktualisht METE është në proçesin e vlerësimit nëse kjo marrëveshje do vijojë më tej ose jo”, sqaroi Haxhinasto.
Top Channel