
Kryeministri Hashim Thaçi i ka bërë thirrje Serbisë, që të pranojë marrëveshjen për Veriun, e cila do t’i ndihmonte normalizimit të raporteve mes dy vendeve.
Në një deklaratë për gazetën “Express”, kryeministri Thaçi ka thënë se udhëheqësit politik të Beogradit nuk duhet t’i përsërisin gabimet e së kaluarës.
“Lidershipi aktual i Serbisë nuk duhet t’i përsërisë gabimet që ka bërë Millosheviçi, gjatë konferencës në Rambuje, dhe as gabimin e Vojisllav Koshtunicës, gjatë procesit të negociatave për statusin në Vjenë. Lidershipi i Serbisë duhet të marrë vendime, që i shërbejnë të ardhmes europiane dhe jo të mbetet peng i mentalitetit të së kaluarës”.
Po ashtu, kryeministri Thaçi ka thënë se arritja e marrëveshjeve, që janë aktualisht në tavolinë, do t’i hapë rrugën procesit të integrimeve euro-atlantike të të dy vendeve.
“Unë dua të besoj në guximin dhe vizionin e lidershipit aktual të Serbisë, që do ta bejë një hap të tillë të madh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe kështu të hapin një kapitull të ri, atë të paqes dhe bashkëpunimit”, ka thënë Thaçi.
Thaçi dhe Daçiç pritet të takohen më 2 prill në Bruksel.
Top Channel