Rriten pagat e gjykatësve

24/03/2013 17:20

Ministria e Drejtësisë, brenda muajit prill, do të kalojë në komisionet parlamentare një draft-ligj për ndryshimin e pagave në Gjyqësor.

Në analizën, që i bën kreu i saj, Eduard Halimi, nevojës së këtij ndryshimi të pagave të gjyqtarëve, argumenton se me një rrogë të tillë, gjyqtarët mund t’i rezistojnë tundimit për të mos u korruptuar.

Sipas Halimit, kjo do të rrisë transparencën e sistemit të drejtësisë, duke reduktuar korrupsionin në sistemin gjyqësor. Grupi hartues i këtij drafti mendon se çdo gjyqtar, që ditën e parë të punës, do të kontraktohet nga shteti me një pagë jo më të vogël se 100 mijë lekë, një gjyqtar i Krimeve të Rënda do të paguhet jo më pak se 120 mijë lekë, ndërsa një gjyqtar në Gjykatën e Apelit nuk mund të ketë pagë më të ulët se 140 mijë lekë.

Për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve të Apelit, apo atyre të Gjykatës së Lartë, drafti parashikon që çdo gjyqtar i shkallës së parë, me një karrierë 25-vjeçare, përfiton pagën e gjyqtarit të Apelit, ndërsa ai i Apelit, me 25 vjet karrierë, përfiton pagën e anëtarit të Gjykatës së Lartë.

Ministria e Drejtësisë pretendon se në KLD, me iniciativën e presidentit, po instalohet një sistem karriere transparent për gjyqtarët, duke i vlerësuar ata për punën e tyre çdo vit, me anë të kontrolleve, por kjo duhet shoqëruar, sipas këtij perceptimi, edhe me rritjen e pagave.

Në perceptimin popullor, sistemi i drejtësisë mbetet më i korruptuari në vend, nga të gjitha sondazhet e kryera, por Ministria e Drejtësisë, me anë të rritjes prej 20 deri në 30 mijë lekë të reja çdo muaj, mendon se mund të ndalë këtë korrupsion.

Një rritje vjetore, me të ardhura 200 mijë lekë në vit, pritet sipas Ministrisë së Drejtësisë të ndalë korrupsionin ose tundimin për të korruptuar, në të paktën 40 deri në 60 proçese gjyqësore, që çdo anëtar ka në 12 muaj për të gjykuar.

Ja dhe pagat e reja në sistemin e Drejtësisë

Gjykata e Rrethit  –  jo më pak se 1000 dollarë
Gjykata e Krimeve të Rënda  –  jo më pak se 1200 dollarë
Gjykata e Apelit  –  jo më pak se 1400 dollarë
Gjyqtar me 25 vjet pune  –  jo më pak se 1400 dollarë

Top Channel