Populli në kishë, qeveria në Bruksel

24/03/2013 18:25

Qipriotët iu drejtuan kishave të dielën, ndërsa liderët e tyre u nisën për në Bruksel, me shpresën për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, për telashet ekonomike të vendit.

Kisha bizantine “Agios Loannis”, në qendër të Nikozisë, ishte mbushur me njerëz. Por, besimtarët sërish në mendje kishin shqetësimet mbi fatin e vendit, edhe pse një pjesë u shprehen të bindur se qeveria do të marrë vendimin e duhur.

“Nuk ka as edhe një qipriot të vetëm, që të mos jetë i shqetësuar në këto momente. Nuk ka një grek apo një europian të vetëm, që nuk ka halle në këto momente. Bota jonë po ndryshon, dhe Qipro duhet të gjejë drejtimin e saj dhe të kuptojë se ditëve të mira u erdhi fundi, se duhet t’i shtrohet punës me më pak shtet, ndoshta me pak të ardhura, por me më shumë iniciativë”.

“Mbi Qipron po bëhet presion të shkojë përtej mundësive të saj. Por, jam i bindur se, në fund, vendi ynë do t’ia dalë mbanë. Nuk ka shanse, që ata ta lënë Qipron të falimentojë. Patjeter që vështirësitë mbeten të mëdha, por nëse punojmë së bashku, Qipro nuk do të gjunjëzohet”.

Pas takimit me presidentin e Qipros, Nikos Anastasiades, disa ditë më parë, lideri i kishës ortodokse të Qipros, arkipeshkvi Krisostomos, tha se kisha është e gatshme të financojë pasuritë e saj për të investuar në bonot e thesarit të qeverisë, ndërsa sqaroi më pas për gazetarët se, presidenti po i shqyrtonte të gjitha mundësitë e tij.

Top Channel