
Ish-Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf, u rikthye në vendin e tij, duke i dhënë fund azilit politik të vetimponuar, pas kërcënimeve me vdekje që kishte marrë.
Musharraf mbërriti të dielën në Karaçi, me një fluturim direkt prej Dubait.
Gjenerali Musharraf, i cili rikthehet për të udhëhequr partinë e tij në zgjedhjet e përgjithshme të muajit maj, pranoi më parë se do të marrë masa të forta sigurie për të mbrojtur veten.
Jeta e ish-presidentit është në rrezik pasi fondamentalistët islamikë, me tepër ndikim në vend, kanë shpallur dënimin e tij me vdekje.
Vrasjet e politikanëve nuk janë një fenomen i rrallë në Pakistan. Kryeministrja popullore, Benazir Bhuto, u vra në vitin 2007 me një autobombë, gjatë një manifestimi politik.
Ndërkohë, në një zhvillim tjetër nga Pakistani, 17 ushtarë u vranë gjatë natës, në një sulm vetvrasës të një militanti.
Top Channel