Irak, vizitë surprizë e John Kerry

24/03/2013 10:05

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, mbërriti në Irak në një vizitë të papalajmëruar, informuan mediat ndërkombëtare ditën e dielë.

Sipas “BBC”-së, synimi kryesor i Kerry-t do të jetë dhënia e një mesazhi të qartë Bagdadit, për ndalimin e kalimit të të gjithë avionëve iranianë që përdorin hapësirën ajrore irakene, në fluturimet që furnizojnë me armë presidenti Bashar al-Assad.

Në fund të 2012-s, Iraku premtoi inspektimin e fluturimeve dhe ndalimin e të gjithë atyre që shkelnin embargon mbi armët, por është bërë shumë pak në këtë drejtim dhe vetëm dy avionë janë kontrolluar.

Kerry pritet gjithashtu të diskutojë për mbarëvajtjen e reformave demokratike në Irak dhe problemete  brendshme të sigurisë në këtë vend.

Ndonëse dhuna në Irak mbetet larg niveleve kulmore të 2006-s, vendi është përfshirë nga një luftë e përgjakshme fetare midis sunitëve dhe shiitëve.

Si rrjedhojë e dhunës, në muajt e fundit është regjistruar një bilanc prej rreth 300 të vdekurish në muaj, në sulmet terroriste të militantëve të secilës përkatësi fetare.

Një vend me 31 milionë banorë dhe të ardhura për frymë të ngjashme me ato të Shqipërisë, Iraku vuan nga një përçarje e thellë fetare, trashëguar nga ndarja prej 65% shiitë, 30% sunitë dhe 5% të krishterë që ka vendi, në të cilin përfshihet edhe një komunitet i rëndësishëm kurd.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA