
Policia e specializuar britanike mbërriti në banesën e ish-miliarderit Boris Berezovsky për të realizuar një ekspertizë të hollësishme mbi rrethanat e vdekjes së 67-vjeçarit.
Një rival i ashpër i presidentit Vladimir Putin, Berezovsky u gjet i pajetë në rrethana të paqarta, gjatë së shtunës.
Policia po kontrollon banesën e tij për gjurmë të lëndëve kimike, biologjike apo të materialeve radioaktive, që mund të jenë përdorur për ta vrarë.
Megjithatë, autoritetet britanike u treguan të kujdesshme për të saktësuar se ky kontroll është “thjesht paraprak”, e se për momentin nuk ka dyshime se vdekja e oligarkut mund të ketë qenë një vrasje.
Boris Berezovsky jetonte në azil në Londër, pasi ishte bërë i famshëm për armiqësitë e tij me pushtetin në Moskë, që prej ngritjes në pushtet të Vladimir Putin.
Në të shkuarën, 67-vjeçari i ka mbijetuar një numri të madh tentativash për të vrarë, përfshirë këtu vendosjen e një bombe që i vrau shoferin.
Berezovsky u shndërrua në një biznesmen të fuqishëm në Rusi në kohën e presidentit Boris Jelcin. Por, me ardhjen në pushtet të Vladimir Putin, ai u shpall në kërkim dhe që nga viti 2000 është vendosur në kryeqytetin britanik.
Vitin e kaluar, ai humbi përballjen gjyqësore me Roman Abramoviç, ish-ortakun e tij në biznes sa i përket aksioneve të gjigantit të naftës ruse, “Sibneft”.
Top Channel