Gjermanët, të varfërit e perëndimit

24/03/2013 18:45

Një studim i Bundesbank ka dalë në një përfundim befasues: Në vende të goditura rëndë nga kriza financiare, si Italia e Spanja, njerëzit janë më të pasur se sa gjermanët.

Në jug të Gjermanisë është mjaft e njohur shprehja: puno pa pushim, që të kesh një shtëpi. Por, a e ka sot një gjerman i nivelit mesatar, një shtëpi të tijën, me oborr e me dhoma të bollshme për fëmijët?

Bundesbank thotë “Jo!”. Në krahasim me fqinjët europianë, shumë pak gjermanë, sipas saj, janë pronarë të një banese private, madje edhe pasuria e familjeve klasifikohet dukshëm më e vogël, se ajo e njerëzve në vende të tronditura nga kriza, si Spanja apo Italia.

44% e gjermanëve kanë shtëpinë e tyre, krahasuar me 58%, që është niveli në Francë, 68% në Itali dhe gati 83% në Spanjë. Studimi trondit me rezultatin e tij: gjermanët, ndryshe nga sa mendohet, janë më të varfër se fqinjët e tyre në jug të Europës.

Ai e përllogarit mesataren e pasurisë së gjermanëve te 54.000 euro; në Itali ajo vërtitet te 163.900 euro, ndërsa në Spanjë është rreth 178.300 euro.

Për studimin, u mor një kampion përfaqësues prej 40 milionë familjesh, të cilat radhiten në rritje, sipas pasurisë, dhe u llogarit mesatarja aritmetike. Megjithatë, ekspertë të Institutit për Kërkimet Ekonomike në Këln i kanë kritikuar metodat e mbledhjes së të dhënave, që janë përdorur për realizimin e këtij studimi.

Sipas tyre, është llogaritur thjesht pasuria mesatare e familjeve. Problemi në këtë rast është se, familjet gjermane, me mesatarisht 2 persona, janë dukshëm më të vogla se familjet spanjolle, me 2,7 persona; që do të thotë se pasuria në këto vende shpërndahet mes më shumë personave, se në Gjermani.

Shifrat, gjithashtu, duket se pasqyrojnë gjendjen e Gjermanisë në vitin 2010, ndërsa ato për Spanjën vitin 2008, pikërisht atëherë kur në vendin europiano-jugor sapo shpërtheu kriza e tregut të pasurive të patundshme.

Top Channel