Skënder Minxhozi – Një goditje “poshtë brezit”.
Në fakt, e disata goditje e tillë në dekadën e fundit. Ja si do ta cilësonte një komentator boksi obsesionin e qeverisë aktuale, për të sulmuar në mënyrë të përsëritur dhe publike, “Top Channel”, televizionin më të madh në vend. Nuk do shumë mund për të kuptuar se një shumicë dhe një parti politike në majën e saj, që dështuan për mbi njëzet vjet, për të zgjidhur hallet dhe të drejtat e pronarëve të vjetër, nuk mund të kompensojë sot sadopak imazhin e saj të mjerë, duke bërë sikur po zgjidh një çështje të zakonshme pronësie, duke shpërfillur hapur aktet kontraktuale që ka me një media dhe duke i treguar asaj, në mënyrë arbitrare, derën me gisht.
Përballja e “Top Channel” me shtetin nuk fillon sot. As nuk do të mbarojë sot me sa duket. Por ajo është në momentin aktual, edhe më e rëndë sesa në të shkuarën. E kotë të evokosh këtu dhjetëra rastet kur marrëdhëniet mes këtij grupi mediatik dhe shtetit tetëvjeçar, kanë qenë në zgrip. E shkuara edhe harrohet, por me kusht që të mos përsëritet. Dhe ky është një ndër ato raste kur e shkuara sillet e vërtitet, duke ardhur sërish në pikën e nisjes. Sa e sa herë qeveria e Sali Berishës e ka parë veten nën kritika të forta nga Bashkimi Europian dhe organizmat qendrore të mbrojtjes së gazetarëve në Europë dhe SHBA, për dhunën ndaj “Top Channel”. Në sa e sa raporte figuron qeveria e sotme, si shkelëse e lirisë së shprehjes, kryesisht prej këtij konflikti që ka nisur qysh ditën kur kjo mazhorancë u instalua në pushtet, në vitin 2005!
E megjithatë, e sotmja rëndon më shumë se e djeshmja. Sepse nëse deri dje ishim jashtë të gjitha listave, nëse ishim një shtet kuazi-demokratik, me një qeverisje arkaike e autoritare (“regjim gangster” na quante një gazetë e madhe britanike vite më parë), sot jemi anëtarë të NATO-s, si dhe “vetëm tri ligje larg” statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. A ka ironi më të madhe, sesa t’i vendosësh këto koordinata institucionale e politike, përballë realitetit aktual, ku shteti godet me gur nga mëngjesi në darkë derën e medias më të fuqishme të vendit?!
Sherri aktual i shtetit me “Top Channel” po ndodh në prag të një fushate elektorale. Është si të thuash, një zile paralajmërimi, për t’u “sjellë mirë”. Berisha e di se nuk do t’ia arrijë ta modifikojë linjën e një medie, që suksesin e ka arritur kryesisht duke qenë e athët me qeveritë dhe mazhorancat. E di edhe se për këtë gjest, do të marrë një kosto të caktuar nga perëndimorët, të cilët nëse për kauzat e opozitave politike janë përgjithësisht apatikë dhe jo entuziastë, për kauzat e lirisë së medias zgjohen dhe bëhen veçanërisht aktivë. E megjithatë, Kryeministri i kthehet dhe i rikthehet refleksit të vjetër. Atij refleksi që dikur, në vitet ‘90, shkaktonte drama edhe më të rënda për shtypin e shkruar të kohës. Rekordet i dinë të gjithë, si ata që e kritikojnë qeverinë, ashtu edhe ata që i bëjnë fresk.
Modeli i medias që ka triumfuar sot si “politikisht korrekt” dhe i pranueshëm për qeverinë “e një vendi anëtar të NATO-s”, është ai i radiotelevizionit shtetëror. Një antenë sharjesh dhe propagande banale 24-orëshe, kundër opozitës politike. Ky standard i medias publike që kemi sot dhe që e paguajmë financiarisht të gjithë, të djathtë e të majtë, përbën indeksin e vërtetë të lirisë së medias në këtë vend, 23 vjet pas rënies së komunizmit. Degradimi dhe regresi që televizioni shtetëror ka bërë në këto dekada, shpjegon tërthorazi edhe presionin e dhunën që ushtrohet sot mbi “Top Channel”. Sepse kjo kulturë mediatike “zyrtare”, ky koncept që shteti ka për profesionin fisnik të lajmësit, pasqyron deformimin e vjetër botëkuptimor të Berishës dhe ndihmësve të tij për median, që daton qysh prej kohës kur gazetat shtypeshin në teknologji plumbi dhe kur Shqipëria kishte vetëm një televizion. Atë televizion që në vjeshtën e largët të vitit 1996 lajmëronte plot hare “e morëm dhe Skraparin”!
Shteti nuk do ta fitojë dot betejën me median. Nuk e fitoi dot dikur duke i vënë zjarrin, nuk do ta fitojë dot as sot, duke e nxjerrë jashtë. Sepse beteja me një media është një betejë e humbur qysh në nisje. Kjo aksiomë tashmë nuk ka më nevojë për asnjë verifikim të mëtejshëm. Përvoja e shkurtër dhe modeste e Shqipërisë postkomuniste ka treguar se dhuna e shtetit vetëm sa e ka ndotur imazhin e vetë shtetit dhe ka prekur standardin e demokracisë së një vendi.
Top Channel