BE: Nuk ka zgjidhje optimale për Qipron

24/03/2013 09:30

”Nuk mund të ketë një zgjidhje të lehtë për Qipron”, paralajmëroi Komisioneri Europian për Ekonominë, Olli Rehn, ndërsa ishulli me 1,2 milionë banorë po përjeton orët e tij më dramatike gjatë së dielës.

Politikanët qipriotë duhet të vendosin brenda së dielës nëse do të pranojnë një plan shpëtimi të propozuar nga Bashkimi Europian, përpara se afati të skadojë të hënën dhe Brukseli të tërheqë ofertën.

Qipro refuzoi fillimisht ndihmën, për shkak të shkurtimeve dhe kushteve të rënda të imponuara, por negocimet paralele për një kredi madhore me Rusinë dështuan, duke lënë ofertën e Brukselit të vetmen mbi tavolinën e Nikozias zyrtare.

”Nuk ka një zgjidhje perfekte për Qipron dhe e ardhmja e afërt do të jetë e vështirë në çdo rast për këtë shtet”, paralajmëroi qartë komisioneri Rehn.

”Është thelbësore që të arrijmë një marrëveshje me eurogrupin këtë të dielë, në mënyrë që të akordohet asistenca financiare e domosdoshme”.

Bisedimet midis BE-së, FMN-së dhe Qipros pritet të vazhdojnë deri në orët e vona të së dielës, për të tentuar gjetjen e një marrëveshje “in-extremis”, për një hua prej 10 miliardë eurosh.

Qipro, një vend me 17 miliardë euro Prodhimin të Brendshëm Bruto në vit, duhet të sigurojë 5,8 miliardë eurosh shkurtime nga buxheti në vitet e ardhshme, në mënyrë që të përfitojë kredinë.

Një anëtar i Bashkimit Euripian, ishulli i Detit Mesdhe, është “viktima” e fundit e krizës së borxheve, që ka detyruar Greqinë, Spanjën, Portugalinë dhe Irlandën, që të drejtohen më parë për ndihmë në Bruksel.

Me ekonominë në buzë të greminës, aktualisht, bankat në Qipro qëndrojnë të mbyllura për të shmangur tërheqjen masive të depozitave dhe do të vazhdojnë të mos punojnë deri në mesjavën e ardhshme.

Top Channel