Mario Balotelli ka gjetur momentin të flasë, pas miqësores me Brazilin dhe pas festimeve: “Nuk jam as mes më të fortëve, as mes më të mbaruarve të botës. Unë jam ky që jam, apo më mirë ai që kam qenë gjithmonë. Edhe pse nuk luaja me vazhdimësi”.
Ka shënuar gol në çdo ndeshje, që kur është kthyer në Italia, me përjashtim të derbit: “Isha i emocionuar, sepse ishte diçka e bukur të luaje atë ndeshje, por nuk isha absolutisht nervoz”. Kombëtarja duket se ka hapur dyert për Totti-n: “Ndoshta! Është një fenomen, kampionët e mëdhenj janë gjithmonë të mirëpritur”.
Dhe… sa i përket mënyrës së si e kanë përjetuar prindërit mbrëmjen me Brazilin: “Babai më tha se kisha gabuar shumë, por arrita të shënoja një gol të bukur. Ndërsa mamaja ishte kënaqur shumë. Nuk kam ndryshuar, jam maturuar pasi po rritem, nuk jam më 17 vjeç. Me eksperiencën e fituar rritesh gjithmonë. Nuk kam qenë kurrë një person fals, e di se çfarë mund të bëj, e di se cila është fuqia ime. Krahasimet po jua lë juve”.
Sa i rëndësishëm është Prandelli për Balotelli-n? “Gjithmonë kam patur pranë njerëz, që më kanë dashur të mirën. Prandelli njeh familjen dhe miqtë e mi. Për shumë veta jam simpatik, por jo për të gjithë. Pas Europianit, popullariteti im është rritur. Falë Italisë më duan shumë edhe tifozë të skuadrave të tjera”.
Nuk mund ta evitojë pa prekur çështjen e racizmit nëpër stadiume: “Thjesht më nervozon. Më vjen keq, sepse gjithmonë përfundojmë të flasim për këtë gjë dhe situata nuk përmirësohet aspak. Më në fund, kundër Brazilit u fol për ndeshjen dhe jo gjëra sekondare. Jam dakord me Boateng: nëse nuk e luftojmë të gjithë së bashku, do të humbasim”.
Top Channel