“Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi strategjik i fortë mes Rusisë dhe Kinës është garancia më e madhe për më shumë siguri e paqe në botë”.
Kjo ishte deklarata e lëshuar nga presidenti i sapozgjedhur kinez, Xi Jinping në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë Kinës, vizitë që ishte rezervuar për në Moskë.
Vizita e parë zyrtare e Xi Jinping, presidentit kinez që u zgjodh në përfundim të punimeve të Kongresit të Partisë Komuniste duke i dhënë fund tranzicionit të gjatë të procesit të transferimit të pushtetit, ishtë në Rusi.
Presidenti kinez u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ndërsa media në Moskë raporton se mes dy vendeve është nënshkruar një marrëveshje e re e bashkëpunimit energjitik. Sipas kësaj marrëveshje, Rusia zotohet të trefishojë furnizimin me naftë për Kinën, ndërsa Pekini do të ofrojë një hua prej 2 miliard dollarësh me interes të butë.
Marrëveshja parashikon gjithashtu ndërtimin e një gazsjellësi të ri mes Kinës dhe Rusisë, kostoja e të cilit në pjesën më të madhe do të mbulohet nga Kina. Rusia është prodhuesi më i madh i energjisë në botë, ndërsa Kina është konsumatori më i madh i saj.
Vitin e kaluar shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kapën vlerën e 88 miliard dollarëve. Po pavarësisht kësaj rritje, këto shkëmbime mbeten ende shumë larg shkëmbimeve tregtare të Kinës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
Po përvec lidhjeve ekonomike dhe tregtare me interesa të ndërsjellta, dy vendet ndajnë thuajse të njëjtat qendrime edhe në politikën e jashtme. Si Moska ashtu dhe Pekini janë aleatë tradicionalë në politikën “e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve sovrane”, ndërkohë që në arenën ndërkombëtarë janë mburoja e programit bërthamor koreano-verior.
Top Channel