SHBA, mbyllen 149 kulla kontrolli ajror

23/03/2013 04:10

Autoriteti amerikan i aviacionit ka planifikuar mbylljen e 149 kullave të kontrollit të trafikut ajror, si përgjigje e masave për shkurtimet buxhetore, që hynë në fuqi në fillim të këtij muaji.

Kullat do të mbyllen në aeroportet e vogla, por pajisjet do të mbeten ende të hapura, njoftoi Administrata Federale e Aviacionit (FAA).

Pilotët do të duhet të koordinojnë ngritjet dhe uljet me njëri-tjetrin pas 7 prillit, duke përdorur vetëm një kanal radiofonik të përbashkët.

Kullat e përcaktuara për t’u mbyllur janë të gjithë me personel nga kontraktorët privatë. Kritikët thonë se kjo lëvizje do të kompromentojë sigurinë.

“Kemi dëgjuar komunitetet anembanë vendit, në lidhje me rëndësinë e kullave të tyre. Këto janë vendime shumë të vështira”, deklaroi Sekretari për Transportin, Ray LaHood, në një njoftim.

Por, ai tha se mbyllja e kullave të kontrollit ishte një përgjigje e paevitueshme ndaj shkurtimit të shpenzimeve, që në Washington njihen si “sekuestrimi”.

Më 1 mars, 85 miliardë dollarë u shkurtuan nga buxheti i këtij viti, pasi Kongresi dështoi të arrinte një marrëveshje.

Zyrtarë të FAA-së thanë se do të punojnë për të siguruar operacione të sigurta në aeroportet e prekura, të cilat janë të përhapura në të gjithë vendin. Disa prej tyre janë aeroporte të vogla, por në zona me densitet popullsie të lartë.

Gjithsej, agjencia mund të kursejë rreth 637 milionë dollarë deri në fund të vitit fiskal, që përfundon më 30 shtator. Kullat rekomandohen për mbyllje, vetëm nëse nuk përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare dhe nëse agjencia parashikon një impakt të vogël ekonomik në komunitetet lokale, që do të preken.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA