Mbërrin Kombëtarja

23/03/2013 00:00

Ka mbërritur në Tiranë përfaqësuesja kuqezi pas fitores shumë të rëndësishme që arriti në Norvegji me rezultatin 0-1. Jo të gjithë kanë mbërritur në Tiranë dhe ai që bie më shumë në sy është autori i golit Hamdi Salihi i cili është nisur menjëherë për në Kinë.

Pas një fitoreje të tillë që na vë në pozita shumë të mira në grup, trajneri De Biazi shprehet i kënaqur jo vetëm për fitoren, por edhe që mbetemi ende në lojë për një kualifikim të mundshëm për në Brazil 2014-të.

“Sigurisht që nuk e prisnim këtë fitore pasi ishte një ndeshje e vështirë, por shkuam atje të bindur për një rezultat pozitiv. Skuadra bëri një lojë të mirë dhe morëm tre pikë që na mbajnë ende shpresat gjallë për të shkuar në Brazil. Kjo fitore na shërben si për moralin, ashtu edhe për objektivin. Skuadra po përmirësohet ndjeshëm, ndërkohë që unë kam një problem tashmë për ndeshjen e kthimit me Norvegjinë pas rreth dy muajsh pasi më mungojnë lojtarë kryesorë si Cana, Lila dhe Roshi. Këto më shqetësojnë”, tha De Biazi.

Ndërkohe presidenti i Federatës, Armand Duka është disi më i matur tek cështja e kualifikimit, por pavarësisht kësaj ka dëshirë, ashtu si të gjithë ne që të luftojmë deri në fund.

“Luajti ndryshe nga herët e tjera, nuk pritëm për një 0-0, por kërkoi ta fitojë ndeshjen. Edhe gabuam, gabuam shumë, fatmirësisht Norvegjia nuk i shfrytëzoi gabimet tona. Salihi e interpretoi shkëlqyeshëm atë goditje dënimi. Kualifikimi është shumë i vështirë. Për të arritur në Brazil rruga është shumë e gjatë, por ne duhet të punojmë shumë ndeshje pas ndeshje. Kuptohet që ne jemi një ekip modest, por shpresa vdes e fundit”, tha Duka.

Përfaqësuesja kuqezi është grumbulluar sërish në Durrës pasi ditën e martë do të zhvillojë ndeshjen e radhës, këtë herë një miqësore, atë përball Lituanisë në Tiranë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta