Lirohet pas 15 muajsh pengu australian

23/03/2013 00:00

Një shtetas australian, i rrëmbyer 15 muaj më parë nga një grup i lidhur me Al Kaedën në Filipine, është liruar.

Në pamje të parë i dobësuar, Warren Rodwell u lirua ditën e shtunë në afërsi të qytetit Pagadian, në jug të Filipineve, kanë komunikuar autoritetet lokale.

Ai ishte rrëmbyer nga militantët e grupit Abu Sayaf në vitin 2011 dhe për herë të fundit ishte shfaqur i gjallë në një video të postuar në një rrejet social në dhjetor.

Aby Sayyaf konsiderohet lëvizja ekstremiste më e vogël por më radikale që vepron në jug të ishujve aziatikë.

Ministri i Jashtëm australian, Bob Carr mirëpriti lajmin, duke thënë se lirimi kishte qenë rezultat i përpjekjeve të autoriteteve nga të dyja vendet.

“Qeveria filipinase kishte rolin kryesor në këtë çështje dhe ajo meriton përgëzime për përpjekjet e palodhshme për lirimin e zotit Rodwell”, deklaroi ministra Carr.

Ai shtoi se Rodwell është transferuar në një lokalitet të sigurtë dhe se fokusi tani është rekuperimi shëndetësor i tij.

Australiani, që drejton një dyqan me bashkëshorten e tij në qytetin bregdetar të Filipineve, Ipil, ishte rrëmbyer në dhjetor të vitit 2011.

Një numër jo i vogël të huajsh janë rrëmbyer në jug të Filipineve, për lirimin e të cilëve është kërkuar një shpërblim financiar.

Qeveria australiane ka prej kohësh një politikë që refuzon pagesën e shpërblimeve të tilla për qytetarët e saj. Zonat në rajonin jugor përdoren si baza nga militantët islamikë dhe rebelët. 

Top Channel