Liban, kryeministri jep dorëheqjen

23/03/2013 02:30

Kryeministri i Libanit, Najib Mikati, ka njoftuar dorëheqjen e gjithë stafit qeveritar të kryesuar prej tij.

Kjo lëvizje vjen pa ndarjeve të thella të kabinetit, i cili dështoi të aprovonte një komision për mbikqyrjen e zgjedhjeve të planifikuara për në qershor.

Gjithashtu, ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje për zgjatjen e mandatit të shefit të sigurisë së brendshme, i cili është i detyruar të tërhiqet muajin e ardhshëm.

Libani është përfshirë nga kriza politike, e cila ka lidhje edhe me trazirat në Sirinë fqinje.

Mikati tha se, shpreson që largimi i tij do të jetë “një shtysë për udhëheqësit e tjerë, që të marrin mbi supe përgjegjësitë e tyre”. Ai nxiti partitë politike të “bashkoheshin, për ta nxjerrë Libanin nga statusi i një vendi ‘të panjohur’”.

Mikati kishte bërë thirrje për zgjatjen e mandatit të shefit të sigurisë së brendshme, Ashraf Rifi, për të shmangur atë që ai e përshkruante si “një vakuum të rrezikshëm”.

Por, këtu hasi kundërshtimin e lëvizjes islamiko-shiite, Hezbollah, dhe aleatëve të saj, që dominojnë qeverinë.

Mikati paralajmëroi se ndarjet e brendshme mes libanezëve kishin krijuar plagë të thella, që mund të riparoheshin vetëm përmes dialogut. Ai zbuloi gjithashtu se ka dashur të dorëhiqet edhe dy herë të tjera më parë, që prej marrjes së postit në 2011-n.

Presidenti Michel Suleiman nuk ka bërë të ditur asnjë koment deri më tani, nëse do ta pranojë apo refuzojë këtë dorëheqje. Mikati u bë kryeministër pasi Hezbollah dhe aleatët e tjerë rrëzuan kabinetin e bashkuar të Saad Hariri.

Ndarjet politike dhe sektariane në Liban janë ndikuar fuqishëm nga konflikti në Siri, pasi shumë muslimanë sunitë simpatizojnë rebelët në Siri, ndërsa Hezbollah mbështet presidentin Bashar al-Assad.

Top Channel