Protestuesit opozitarë në Egjipt janë përplasur me anëtarët e partisë në pushtet, Vllazëria Myslimane, në qytete të ndryshme të vendit, duke lënë persona të shumtë të plagosur.
Në Kajro, protestuesit bastisën zyrën e Vllazërisë, ndërsa në Mahalla, në Deltën e Nilit, selisë së partisë politike iu vu flaka. Policia anti-turmë përpdori gaz lotësjellës, ndërkohë që u sulmua me gurë nga manifestuesit.
Egjipti është tronditur nga protesta të dhunshme këtë vit, që kanë lënë dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur.
Ditën e premte, disa mijëra aktivistë marshuan në zonën e Mokatamit, në Kajro, për t’u përballur me mbështetësit e Vllazërisë dhe policinë, që po ruanin selinë e partisë.
Përleshjet shpërthyen menjëherë dhe policia përdori gazin lotësjellës për të ndarë të dyja palët. Dy autobusëve të islamikëve iu vu zjarri.
Ndërkohë, zyrat e Vllazërisë u sulmuan edhe në qytetin e dytë më të madh të Egjiptit, Aleksandri, dhe po ashtu në Mahalla, ku ndaj tyre u hodhën bomba molotov.
Përfaqësues të shumtë të Vllazërisë Myslimane janë sulmuar së fundmi në mbarë vendin, në kuadër të protestave kundër presidentit islamik, Mohamed Morsi, që fitoi zgjedhjet qershorin e kaluar.
Opozita laike e akuzon kreun e shtetit se po përpiqet të uzurpojë pushtetin, akuzë të cilën Morsi e mohon.
Top Channel