CIA mbështet rebelët sirianë

23/03/2013 00:00

CIA po luan rolin e saj në fushatën kundër regjimit sirian, duke furnizuar me informacione kundër qeverisë së Damaskut disa fraksione të zgjedhura të rebelëve.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja “Wall Street Journal”, që citon burime pranë administratës së presidentit Barack Obama.

Iniciativa është pjesë e përpjekjeve amerikane për të kufizuar depërtimin e ekstremistëve islamikë në Siri, nga frika se një rrëzim i mundshëm i Assad mund t’i lejojë Al Kaedës afirmimin në vend.

Roli i Shteteve të Bashkuara është jetik për zgjidhjen e krizës siriane që zgjat prej më shumë se dy vjetësh dhe ka marrë disa dhjetëra mijëra jetë njerëzish.

Por në këtë drejtim Uashingtoni has kontrastin e Moskës, që përmes vetos pengon miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit për të furnizuar me armë rebelët sirianë.

Rusia, sipas një studimi të Institutit të Kërkimeve mbi Paqen në Stokholm, ka qenë furnizuesja kryesore me armë e regjimit të Assad.

Gjatë periudhës 2008-2012, 71 për qind e armëve të importuara nga regjimi i Damaskut kanë qenë nga Rusia, që mund të konsiderohet kështu “sponsori” i madh i luftës.

Të dhënat e Instititut të Stokholmit u publikuan ndërsa vendet e Bashkimit Europian ishin përfshirë nga debati për heqjen e një embargoje armësh që është vënë për furnizimin me armë të kryengritësve nga këto vende europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA