Brazil, 16 të akuzuar për zjarrin në diskotekë

23/03/2013 03:40

16 persona do të përballen me akuza kriminale në lidhje me zjarrin vdekjeprurës në një klub nate në Brazil, gjatë muajit janar.

Më shumë se 240 vetë mbetën të vrarë, kur shkumba izoluese mori zjarr dhe shpërndau tym toksikues në ambientin e mbyllur, në qytetin jugor të Santa Marias.

Policia tha se zjarri ra kur një këngëtar i një bande muzikore po mbante një fishekzjarr ngjitur me tavanin, i cili më pas nisi të shkrumbohej.

Këngëtari, producenti i grupit, pronarët e klubit dhe zyrtarë të zjarrëfikësve do të akuzohen për vrasje nga pakujdesia.

Një raport i policisë, i publikuar të premten, bënte të ditur se një duzinë dëshmitarësh raportuan se kishin parë këngëtarin në skenë duke mbajtur fishekzjarrin, i cili shkaktoi zjarrvënien.

Shumë dëshmitarë thanë se rojet e sigurisë në klubin e natës “Kiss”, fillimisht u përpoqën të ndalonin njerëzit, që po synonin të largoheshin. Fakti që klubi kishte vetëm një derë daljeje, u përshkrua nga hetuesit gjatë përpilimit të raportit si një “dështim grotesk i sigurisë”.

Rrugët e shpëtimit dhe ndriçimi në klub rezultuan të ishin të pamjaftueshme, ndërkohë që ai ishte i mbipopulluar. Dëshmitarë thanë se aty ishin gati 1000 të pranishëm, në një kohë që klubi kishte një licencë për jo më shumë se 800.

Top Channel