SHBA, marinsi vret dy kolegë dhe veten

22/03/2013 16:20

Një marins amerikan ka qëlluar për vdekje dy kolegë, një mashkull dhe një femër, para se t’ia kthente pistoletën vetes dhe të vetëvritej.

Ngjarja ka ndodhur në një bazë në shtetin e Virxhinias, jo shumë larg Uashingtonit, bëjnë të ditur autoritetet ushtarake.

Burimet thonë se autori hapi zjarr dhe më pas u mbyll në një barrakë që shërbente si dhomë gjumi, ku i dha fund jetës së tij.

Të tre viktimat ishin marinsa të zgjedhur si kandidatë për oficerë. Motivet e ngjarjes janë ende të paqarta.

Komandanti i bazës, koloneli David Maxwell tha për mediat se ngjarja ndodhi gjatë natës mes së enjtes dhe së premtes dhe se në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë hetuesit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Pentagonit, George Little tha për BBC se sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel është vënë në dijeni për ngjarjen.

“Zemra dhe lutjet e tij shkojnë për viktimat dhe familjarët e tyre. Ai beson se forca legjendare e Trupës së Marinsave të SHBA do të sigurohet që ata të kujtohen përjetë”, deklaroi zëdhënësi.

Ngjarja në fjalë vjen pak ditë pasi shtatë marinsa u vranë në një depo armësh në Nevada, kur një raketë mortaje shpërtheu aksidentalisht gjatë një stërvitjeje.

Gjithashtu, pak kohë më parë në rrethana të ngjashme u vra edhe marinsi që kishte qenë snajperi kryesor në luftën e Irakut, Chris Kyle, i cili u qëllua gjithashtu nga një koleg në një poligon qitjeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA