Rusia refuzon të ndihmojë Qipron

22/03/2013 09:20

Bisedimet midis Qipros dhe Rusisë për një kredi që do të shmangte kolapsin ekonomik në ishullin e vogël pjesë të BE-së u mbyllën pa një marrëveshje, informoi të premten ministri rus i Financave.

Ministri Anton Silunov, duke folur pas takimit me homologun e tij qipriot Michael Sarris, gjithashtu tha se investitorët rusë nuk janë të interesuar për rezervat detare të naftës dhe gazit që janë zbuluar pranë ishullit.

Sarris udhëtoi në Moskë duke kërkuar një hua prej pesë miliardë eurosh, në këmbim të aseteve në energji dhe sektorë të tjerë.

Qipro duhet të grumbullojë 5,8 miliardë euro, për të pasur të drejtë që të përfitojë një kredi madhore prej 10 miliardë eurosh nga Bashkimi Europian.

Megjithatë, Nikosia zyrtare ka refuzuar që këto para t’i sigurojë duke nga rritja e taksave dhe vendosja e një tarife për transaksionet bankare, siç u propozua nga Brukseli.

Pas refuzimit të marrëveshjes së propozuar nga Brukseli, ekonomia e brishtë e ishullit me 1,2 milionë banorë është në buzë të greminës dhe qeveria e parlamenti u takuan në një tjetër mbledhje urgjente gjatë së premtes, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Qipro ka kohë të pranojë marrëveshjen deri të hënën, përpara se Banka Qëndrore Europiane të bllokojë financimin, duke çuar me shumë gjasa në falimentimkin e shtetit.

Aktualisht, bankat në Qipro qëndrojnë të mbyllura për të shmangur tërheqjen masive të depozitave dhe do të vazhdojnë të mos punojnë deri në mesjavën e ardhshme.

Nga ana e tij, Komisioneri Europian, Jose Manuel Barroso, i cili gjithashtu vizitoi Moskën gjatë javës, u shpreh “tejet i shqetësuar” për zhvillimet në Qipro, por theksoi se në të shkuarën, Bashkimi Europian ka përballuar sfida më të vështira.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA