Rusia, bastisen organizatat joqeveritare

22/03/2013 13:40

Policia ruse dhe inspektorët tatimorë bastisën selinë e grupit të të drejtave të njeriut, “Memorial” dhe disa organizatave të tjera të shoqërisë civile që financoheshin me fonde të huaja.

”Memorial” është bërë e njohur për dokumentimin e disa shkeljeve të të drejtave të njeriut në Rusi.

Ambasada amerikanë, nga ana e saj, dorëzoi një dokument, në të cilin shprehte “shqetësimin e thellë të Uashingtonit” mbi këtë bastisje, duke kërkuar njëkohësisht shpjegime për këtë veprim të autoriteteve.

Bastisja lejohet nga një ligj të ri të sapomiratuar në Rusi, që kërkon deklarimin e financimeve të organizatave joqeveritare dhe regjistrimin e punonjësve të tyre si “agjentë të huaj”, një term me një konotacion të ngjashëm me atë të spiunazhit.

Gjatë këtij mandati, presidenti Vladimir Putin ka akuzuar organizatat joqeveritare për “ndërhyrje në politikën e brendshme, financuar nga interesat ndërkombëtare”.

Ligji që detyron deklarimin e financimeve dhe regjistrimin e punonjësve i jep të drejtë Rusisë që gjithashtu të mbyllë ato organizata, që “ndërhyjnë në punët e brendshme”.

Nga ana e tij, drejtori i “Memorial”-it, Arseny Roginsky, sfidoi autoritetet, duke thënë se “organizata nuk do të ndryshojë aspak pozicionin e saj. Ne nuk do të refuzojmë donacionet e huaja dhe aq më pak të regjistrohemi si “agjentë të huaj””.

Top Channel