OKB, hetim për keqtrajtimet në Korenë e Veriut

22/03/2013 08:40

Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka ngritur një komision për të hetuar abuzimet e rënda që ndodhin në Korenë e Veriut.

Kjo është hera e parë që formohet një komision hetues i kësaj natyre për vendin e udhëhequr nga diktatura komuniste, lajmëruan të premten mediat ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Peniani e denoncoi këtë nismë si një “komplot politik”.

Duke qenë se leja për të hyrë në Korenë e Veriut, sipas të gjitha gjasave, pritet të refuzohet për anëtarët e komisionit, komisioni do të mbështetet kryesisht në imazhet e satelitëve dhe dëshmitë e të arratisurve.

Këshilli votoi unanimisht për nisjen e hetimeve, që do të përqendrohen në dyshimet për skllavëri në kampet e punës dhe mohim të ushqimit për një pjesë të popullsisë.

Këto shkelje raportohen si të zakonshme në Korenë e Veriut, një prej vendeve me respektin më të ulët ndaj të drejtave të njeriut në botë.

Tortura, presioni psikologjik, internimet, dënimet pa gjyq, rrahjet apo ekzekutimet masive janë shkelje të tjera të evidentuara në të shkuarën në vendin me 25 milionë banorë.

Hetimi ndaj Koresë së Veriut vjen në një moment kur tensioni mes Penianit dhe Uashingtonit ka arritur një nivel rekord.

Tensioni në Gadishullin Korean ka ardhur në një spirale përshkallëzimi të rrezikshëm që prej muajit dhjetor, kur Peniani lëshoi në hapësirë një satelit, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi dhe kreu një shpërthim bërthamor, në muajin shkurt, në kuadër të testimit të armëve të reja.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve në kundërshtim me paktet dhe zotimet e firmosura nga Korea e Veriut përpara OKB-së, vendi komunist u bë subjekt i sanksioneve të reja ekonomike, të cilave Peniani iu përgjigj në mënyrë sfiduese, duke anulluar armëpushimin e vitit 1953 me Korenë e Jugut dhe duke rikthyer gjendjen e luftës, së bashku me kërcënimet për shkatërrimin e plotë bërthamor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA