Policia e Kosovës njofton se një vrasje e dyfishtë ka ndodhur ditën e premte në Vushtrri. Dy persona, meshkuj, të përkatësisë etnike shqiptare, kanë humbur jetën si rezultat i plagëve të marra nga armë zjarri.

Incidenti besohet të ketë ndodhur rreth orës 14:00, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Vushtrri, ku dy personat janë konfrontuar me njëri-tjetrin dhe më pas kanë shkëmbyer zjarr me pistoleta për motive ende të paqarta.

Dy viktimat, të identifikuar me inicialet Xh.K. rreth 45 vjeç, dhe B.G. rreth 40 vjeç, kanë marrë plagë të rënda trupore dhe janë dërguar në spitalin e Vushtrrisë, ku dhe kanë ndërruar jetë.

Hetuesit policorë të Drejtorisë rajonale të hetimeve në Mitrovicë, së bashku me teknikët e kriminalistikës, kanë bërë mbikëqyrjen e vendit të ngjarjes dhe inicimin e proçedurave të rastit të vrasjes.

Të paktën dy armë zjarri të tipit pistoletë në pronësi të viktimave janë gjetur dhe sekuestruar si pjesë e provave materiale, nën dyshimin se janë përdorur nga të dyja palët. Objektet do t’i nënshtrohen gjithashtu analizave laboratorike.

Hetuesit policorë janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të plota të rastit, të kualifikuar si “vrasje” në bazë të nenit 178 të Kodit Penal të Kosovës.

Top Channel