Izraeli i kërkon falje Turqisë

22/03/2013 16:45

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i ka kërkuar falje Turqisë për jetët e humbura gjatë operacionit blic të vitit 2010 në një anije me aktivistë turq që çonte ndihma për në Gaza.

Në një bisedë telefonike me homologun Recep Tayyip Erdogan, Netanyahu ka rënë dakord për të dëmshpërblyer familjet e 9 viktimave.

Sipas raportimeve të mediave botërore, shefi i qeverisë izraelite ka kërkuar falje për ndonjë gabim, që sipas tij mund të jetë bërë shkak për vrasjen e 9 aktivistëve.

Më herët Netanyahu kishte shprehur vetëm keqardhje për jetët e humbura, por nuk kishte kërkuar falje, me argumentin se anija me ndihma mund të përbënte rrezik për Izraelin.

Ngjarja dhe qëndrimi i shtetit hebre dëmtoi rëndë marrëdhëniet mes dy vendeve, që janë njëkohësisht aleate të ngushta të Shteteve të Bashkuara.

Turqia kishte paralajmëruar se do ta çonte Izraelin në gjykatën e Kombeve të Bashkuara dhe se do të ndërmerrte një seri sanksionesh ndaj tij.

Anija ku ndërhynë komandot izraelitë transportonte ndihma për banorët në Gaza, zonë ndaj të cilës Izraeli kishte vendosur një bllokadë.

Biseda telefonike mes dy kryeministrave u zhvillua në përfundim të vizitës në Izrael dhe në Bregun Perëndimor të presidentit amerikan, Barack Obama.

Top Channel