Vizita e Obamës në Ramallah

21/03/2013 23:30

Presidenti amerikan, Barak Obama, u kërkoi palestinezëve të hedhin poshtë kërkesën për pezullimin e ndërtimit të vendbanimeve, kushti i tyre për nisjen e bisedimeve për paqe.

Duke folur në Ramallah, pas takimit me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abaz, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se aktiviteti për vendbanimet nuk është gjëja e duhur për paqen.

“Kam qenë i qartë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe udhëheqësit e tjerë izraelitë, se ne nuk e konsiderojmë veprimtarinë për vendbanimet kontruktive, të përshtatshme, apo diçka që mund të çojë përpara çështjen e paqes”, ka thënë Obama.

Ai nënvizoi angazhimin e tij për zgjidhjen mes dy shteteve, duke thënë se “të dy palët duhet të tejkalojnë mosmarrëveshjet”.

Duke falënderuar administratën amerikane për mbështetjen e vazhdueshme, Abaz tha se paqja me Izraelin nuk mund të arrihet përmes dhunës, pushtimit, vendbanimeve, arrestimeve apo mohimit të të drejtave të refugjatëve.

“Vendbanimet janë të paligjshme dhe të gjithë aktivitetet që lidhen me to gjithashtu. Ne shpresojme që qeveria izraelite ta kuptojë këtë dhe shpresojmë që ata të dëgjojnë shumë prej opinioneve brenda Izraelit, që thonë se vendbanimet janë të paligjshme. Ne folëm me presidentin për këtë dhe e bëmë të qartë pikëpamjen tonë për gjetjen e një zgjidhjeje”, tha Abaz.

Të paktën 150 protestues u mbajtën larg ndërtesës së presidentit të Autoritetit Palestinez nga policia. Më pas, në Jeruzalem, duke iu drejtuar një audience studentësh, presidenti amerikan Barak Obama tha se e vetmja mënyrë për begatinë e shtetit izraelit është përmes realizimit të një shteti palestinez, të pavarur dhe funksional.

Ai e cilësoi paqen të nevojshme dhe të mundshme, ndërsa presidentin Abaz dhe kryeministrin Salam Fajad, si partnerë të vërtetë. Duke u kthyer në kohë, në vitin 2009, gjatë fjalimit në Kajro, Obama e cilësoi situatën e palestinezëve të patolerueshme, por prej asaj kohe pak ka ndryshuar në terren.

Problemi më i vështirë i Lindjes së Mesme u la mënjanë nga Pranvera Arabe apo shqetësimet amerikano-izraelite mbi Sirinë dhe Iranin. Ndërkohë, siç raporton media shtetërore iraniane, udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Kamenei, tha se vendi i tij do të rrënojë Tel Avivin dhe Haifan, nëse Izraeli do ta sulmojë.

Të mërkurën, kryeministri izraelit rikonfirmoi angazhimin për ta ndaluar Iranin për të siguruar armën bërthamore, ndërsa presidenti amerikan Barak Obama shprehu shpresë, se çështja mund të zgjidhet përmes diplomacisë.

Të premten, presidenti amerikan do të vizitojë Kishën e Lindjes së Krishtit në Betlehem, për t’u nisur më pas në Jordani.

Top Channel