SHBA, kalon projekt-ligji buxhetor

21/03/2013 03:50

Senati amerikan ka kaluar një projekt-ligj, për të financuar qeverinë e SHBA-ve deri në fund të shtatorit, një hap drejt shmangies së një mbylljeje të qeverisë në fund të këtij muaji.

Kjo masë, që u aprovua pas një votimi bipartizan 73-26, është dërguar sërish në Dhomën e Përfaqësuesve për votimin konfirmues, i cili pritet të mbahet të enjten.

Ajo ruan 85 miliardë dollarët e shkurtimit të shpenzimeve këtë vit, që hyri në fuqi më 1 mars, por i jep agjencive një fleksibilitet të ri në implementimin e tyre. Ajo rikthen gjithashtu financimet për inspektime mishi dhe disa programe ushtarake.

Nëse marrëveshja për buxhetin do të kthehet në ligj nga presidenti Barack Obama, republikanët dhe demokratët në Kongres do të duhet të bien dakord më pas për buxhetin e vitit të ardhshëm fiskal, i cili fillon më 1 tetor.

Republikanët dhe demokratët kanë qenë të përfshirë në një seri betejash për buxhetin prej vitesh.

Pjesa më e madhe e kësaj “lufte” ka qenë fokusuar në mënyrën se si do të reduktohej më mirë defiçiti vjetor buxhetor i qeverisë, i cili ka shkuar në rreth 1 trilion dollarë.

Republikanët kërkojnë shkurtime dramatike shpenzimesh, shumicën nga programet sociale të mbëshetura nga demokratët, si dhe kundërshtojnë fuqimisht ngritjen e taksave.

Demokratët e udhëhequr nga presidenti Obama preferojnë një përzierje mes rritjes së taksave dhe reduktimit të shpenzimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA