Qen të helmuar, akuza mbi Bashkinë e Tiranës. Reagon institucioni

21/03/2013 00:00

Helmimi i kafshëve është shtuar në masë ditët e fundit. Rastet pasojnë
njëra-tjetrën, duke e rritur ditë pas dite numrin e atyre që kërkojnë
ndihmë mjekësore te veterinerët dhe në Spitalin Ndërkombëtar Veterinar
të Saukut.

Ngjarje që ka nxitur reagime të panumërta, sidomos nga qytetarët e pasionuar pas kafshëve shtëpiake. Nga njëra anë persona të lënduar si pasojë e humbjes së qenve të tyre nga helmime të forta, nga ana tjetër akuza tejet të ashpra drejtuar Bashkisë së Tiranës, institucioni që, sipas tyre, ka të gjithë peshën e fajit.

“Jetoj në Tiranë, pranë zonës së Qytetit Studenti. U kthyem në shtëpi me labradorin tonë, që quhej Popi, ndërsa nuk jetonte më. Një ditë më parë iu drejtuam spitalit të kafshëve, për shkak të një helmimi të fortë që mendojmë se ishte i qëllimshëm. Fatkeqësisht ai vdiq, nuk ia doli mbanë në luftën me vdekjen. Dyshojmë që pas këtij veprimi fshihet Bashkia e Tiranës, e cila i ka mbushur rrugët me copa mishi të helmuara, me qëllim eliminimin e kafshëve të rrugës. Madje kemi parë persona duke hedhur ushqim në zona të ndryshme”, denoncon për gazetën “Shqip”, Nausika P., një zonjë e cila prej 5 vitesh kujdesej për qenin e saj. Ajo është tejet e tronditur, e lënduar për humbjen e qenit të saj, por e revoltuar kur mendon sesi po kryhet një veprim kaq makabër ndaj këtyre krijesave të pafajshme. Nausika thotë se kujdesej shumë për labradorin e saj, e donte shumë dhe se është e bindur që kjo ngjarje nuk është rastësore.

Ngjarja ndodhi në një lagje pranë Qytetit Studenti, ditën e shtunë, ndërsa pronarët e qenit janë përpjekur ta shpëtonin, por helmi kishte depërtuar thellë, duke i marrë jetën.

“Fillimisht dyshova se ky ishte veprim i drejtorisë së Qytetit Studenti, duke qenë se dëgjuam për të tjera helmime përreth kësaj qyteze, siç është zona e Oxhakut, te lulishtja apo rrotull godinës numër 18. Por jo, denoncimit tim tek “Animal Rights Albania” iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, që banojnë përtej Qytetit të Studentit, te Rruga e Kavajës, te Liqeni Artificial. Kush mund të jetë tjetër përveç Bashkisë së Tiranës? Ai institucion ka synuar gjithmonë eliminimin e kafshëve të rrugës, por mori me vete edhe të tjerë”, rrëfen zonja. Ajo është e shqetësuar kur mendon sesi këto ushqime mund të hahen pa pikën e problemit edhe nga fëmijë, të cilët pasi prekin gjithçka gjejnë në rrugë i fusin duart në gojë.

Por rasti i Nausikës nuk është i vetmi. Në sajtin zyrtar të “Animal Rights Albania”, të njëjtin pretendim ndajnë edhe qytetarë të tjerë. Ada B. është një tjetër vajzë, e cila rrëfen të njëjtën problem. “Unë banoj te Rruga e Kavajës. Ditën e diel dola me qenin tim, yorkshire terrier përgjatë Lanës, për të mbërritur tek “Ali Demi”. Në darkë ai ishte shumë i sëmurë. Pasi e dërgova te veterineri, më tha se është helmuar dhe se mushkëritë i ishin mbushur me ujë, për pasojë nuk do të jetonte dot gjatë. Kam jetuar me të prej 11 vjetësh. Ai vdiq, nuk jeton më. Cili tjetër mund të jetë shkaku përveç helmimit të qëllimshëm. Kjo s’ka ndodhur kurrë më parë. Është e turpshme”, tregon vajza e përlotur.

Denoncime të po këtij lloji vijnë edhe nga banues të zonës përreth Liqenit Artificial, të cilët ndajnë të njëjtin qëndrim, pasi kanë humbur kafshët e dashura të tyre.

I pyetur nga gazeta “Shqip”, doktor Erkon Prifti, mjek veteriner në spitalin veterinar të Saukut, thotë se raste helmimesh që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në këtë institucion janë disa, 2 prej të cilëve banues në zonën e Qytetit Studenti.

“Është e vërtetë që ka pasur raste të forta helmimesh. Një prej qenve shpëtoi, ndërsa tjetri jo. Lloji i helmit është fosfororganik, jo shumë i përhapur. Ky lloj helmi merret nëpërmjet ushqimit, nuk gjendet rastësisht. Kjo lloj lënde blihet në farmacitë bujqësore dhe përdoret nga persona që dinë ta përdorin ose nga ata që lexojnë në kuti përdorimin e saj”, shpjegon mjeku veteriner.

Reagon Bashkia:  Ky është spekulim i hapur

Pas këtij lajmi ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Drejtorit të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, z. Geron Ibrahimi

“Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Bashkia e Tiranës ka një strukturë të posaçme që trajton kafshët, ku futen edhe qentë endacakë. Ne kemi njëkohësisht marrëveshje me Fakultetin e Veterinarisë, në Kamëz, ku qentë endacakë pasi grumbullohen nga strukturat tona, çohen në Fakultetin e mjekësisë, ku mjekohen, vaksinohen, sterilizohen, matrikulohen dhe nëse përbëjnë rrezik për transmetimin e sëmundjeve zoonotike, nga kafsha tek njeriu, lëshohen në natyrë. Ne kemi zgjedhur eliminimin biologjik të kafshëve, nëpërmjet sterilizimit ose kastrimit sipas rastit, femër ose mashkull, për të ndaluar shumimin  e tyre, në përputhje me konventat Evropiane, që nuk lejojnë torturimin ose vrasjen e tyre. E kundërta ndodh me raste që konsiderohen si rrezik për përhapjen e sëmundjeve, vetëm në këtë rast me propozim nga mjekët veterinerë ne bëjmë eliminimin e tyre”, thuhet në reagimin e Ibrahimit.

Top Channel