Predha ndaj Izraelit gjatë vizitës së Obamës

21/03/2013 15:50

Ndërsa Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, është duke realizuar një vizitë historike në Palestinë, në një përpjekje për të ndërmjetësuar zgjidhjen e konfliktit dhjetëravjeçar me Izraelin, miltiantë ekstremistë lëshuan dy raketa në drejtim të shtetit hebre, nga Rripi i Gazës.

Incidenti, i cili vjen vetëm një ditë pasi Obama u takua me liderat izraelitë në Tel Aviv, mund të dëmtojë rëndë shanset për gjetjen e një kompromisi, që do të çonte në formimin e një shteti të pavarur palestinez.

Në momentin kur raketat shënjestruan Izraelin, Obama ishte duke zhvilluar në Ramallah, kryeqytetin e Palestinës, një takim me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Lëshimi i raketave u sinjalizua nga radarët e ushtrisë izraelite. Njëra prej tyre ra në oborrin e një shtëpie në qytetin e Sderotit, pa shkaktuar viktima.

Raketa e dytë nuk është izoluar ende dhe fragmentet e saj janë ende në kërkim nga autoritetet izraelite.

Izraeli pushtoi Rripin e Gazës gjatë luftës së vitit 1967 dhe tërhoqi vendbanimet e tij nga ky territor në 2005.

Megjithatë, vazhdimi i ndërtimeve të vendbanimeve në Bregun Perëendimor ka shërbyer si një arsye madhore për ndërprerjen e bisedimeve dypalëshe, duke motivuar fraksione të armatosura të “Hamasit”, që të godasin me raketa në mënyrë të vazhdueshme Izraelin.

Këtyre provokimeve, Tel Avivi u është përgjigjur me dy pushtime të dënuara ndërkombëtarisht, në vitet 2009 dhe 2013, përgjegjëse për humbjen e mijëra jetëve.

Ndërkohë, mbi territoret palestineze, Izraeli vazhdon të imponojë një embargo të ashpër ekonomike dhe prezencë të madhe ushtarake, duke ndikuar drejtëpërdrejti në përkeqësimin e standartit të jetesës në këto enklava.

Top Channel