Papa do lajë këmbët e të burgosurve

21/03/2013 00:00

Papa Françesku ka vendosur të celebrojë meshën e së enjtes së ardhshme
duke larë këmbët e të burgosurve në një qendër rinore burgimi në Romë.

Lajmin e ka bërë të ditur Vatikani. Normalisht, mesha me larjen e këmbëve para Pashkëve mbahet në Selinë e Shenjtë, ose në bazilikën e Romës.

Edhe Papa Benedikti XVI mbajti një meshë identike në qendrën rinore të burgimit Casal del Marmo, në Romë, në vitin 2007.

Papa Françesku do të kryejë ritin e tij më 28 mars, pas mesditës. Larja e këmbëve të enjteve para Pashkës është një traditë e krishterë që daton që në kohët e Jezu Krishtit.

Gjatë shërbimit, Ati i Shenjtë do të lajë dhe puthë këmbët e 12 personave për të replikuar gjestin e përuljes së Krishtit ndaj 12 apostujve të tij një natë para se të kryqëzohej.

“Me këtë celebrim në Casal del Marmo, Papa Françesku do ta vazhdojë këtë zakon, që karakterizohet nga konteksti i tij i përuljes”, thotë Vatikani në deklaratë.

Në dokumentin në fjalë thuhet më tej se, Papa do të celebrojë gjithashtu meshën herët në mëngjesin e së Enjtes së Shenjtë në Bazilikën Shën Pjetër.

Ati i ri i shenjtë, i pari nga Amerika Latine, i ka bërë thirrje Kishës Katolike Romane që të jetë më afër njerëzve të zakonshëm, sidomos atyre të varfër dhe me probleme.

Top Channel