
Komisioneri për Zgjerimin e dhe Fqinjësinë Stefan Fyle prezantoi paketën
e Politikës Europiane të Fqinjësisë, ku përfshihen raportet përkatëse
për progresin e shënuar gjatë 2012 në Algjeri, Armeni, Azerbajxhan,
Bjellorusi, Gjeorgji, Egjipt, Izrael, Palestinë, Jordani, Liban, Libi,
Moldavi, Marok, Siri, Tunizi, dhe Ukrahinë.
“Zgjedhje demokratike janë mbajtur në Egjipt, Libi, Algjeri e Jordani dhe BE vendosi misionet vëzhguese për zgjedhjet në disa prej tyre. Por, në disa vende ende mbeten shqetësime rreth lirisë së tubimit, të organizimit dhe të shprehjes, duke përfshirë lirinë e medias, dhe të drejtat e grave”, tha Fyle.
Kryefjala e Komisionerit ishte vazhdimi i angazhimit të BEsë për të bashkëpunuar me fqinjët, pavarësisht trazirave politike dhe kushteve të tyre ekonomike.
“Angazhimi me fqinjët nuk është një çështje e zgjedhjes. Ne nuk mund të injorojmë atë që po ndodh tek fqinjët tanë më të afërt. Ne nuk mund të injorojmë as njerëzit atje që shohin Europën si një burim frymëzimi për reformat”, theksoi Fyle.
Dy vjetë më parë, Komisioni Europian ndryshoi qasjen ndaj fqinjëve duke nxitur për reforma të thella e të qëndrueshme drejt demokracisë në këto vende dhe akordoi për këtë 1 miliard euro . Komisioni Europian vlerëson se niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e pavarësisë së gjyqësorit janë dy prej faktorëve kryesorë që dëmtojnë procesin e reformave politike, ekonomike e sociale tek fqinjët e BE-së.
Pergatiti: ARTA TOZAJ
Top Channel