Obama: Mbështesim shtetin palestinez

21/03/2013 00:00

Presidenti Barack Obama ka deklaruar gjatë vizitës në qytetin e Ramallahut, në Bregun Perëndimor, se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të angazhuara” për krijimin e një shteti sovran palestinez.

Duke folur pas takimit me liderin palestinez Mahmoud Abbas, Obama tha se shtrirja e kolonive izraelite nuk është një veprim i përshtatshëm për paqen.

Ai bëri me dije bashkëbiseduesin se sekretari i Shtetit John Kerry do të shpenzojë kohë dhe energji në përpjekjet për të afruar sa më shumë dy palët.

Nga ana e tij zoti Abbas, i cili e priti presidentin amerikan tek pista ku u ul helikopteri i tij, tha se kishte zhvilluar me të një takim “të mirë dhe të dobishëm”.

Sidoqoftë, pritshmëritë e palestinezëve nga kjo vizitë kanë qenë të ulta, pasi ata ndihen të zhgënjyer nga lideri amerikan.

Zoti Obama bëri vizitën e tij të parë në Izrael si president ditën e mërkurë, ku zhvilloi bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Dy liderët riafirmuan angazhimin e tyre për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë.

Ndërkohë, në një fjalim të mbajtur në Jeruzalem, Obama deklaroi se elementi që duhet të garantojë paqen në Lindjen e Mesme duhet të jetë një shtet i fortë dhe i sigurtë hebre, përkrah një shteti sovran dhe të pavarur palestinez.

Ndërkaq, policia izraelite njoftoi më herët se dy raketa ishin qëlluar nga Gaza në jug të Izraelit mëngjesin e së enjtes, për fat të mirë pa shkaktuar viktima.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta