Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë sqaron se gjendja e krijuar me faturat e energjisë elektrike për muajin janar është pasojë e gjendjes së krijuar nga sistemi i “bllok-tarifave” dhe leximi jo korrekt i njehësorëve nga ana e KEK-ut.

Këto sqarime u bënë pas vizitës që anëtarë të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik realizuan të enjten. Temë qendrore e bisedës në këtë takim ishte pakënaqësia e qytetarëve lidhur me faturimin e energjisë për muajin janar, nga ana e KEK-ut.

“KEK-u ka bërë lëshime gjatë faturimit të konsumatorëve”, u shpreh Përparim Kabashi, anëtar i Bordit të ZRRE-së.

Në vijim të këtij takimi, u diskutua se në ç’masë ZRRE-ja është e pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta. Kjo temë u ngrit nga anëtarët e Komisionit, të cilët iu referuan deklaratës së ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Deklarimin e Beqajt se nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë, anëtarët e Komisionit e konsideruan si ndërhyrje në kompetencat e ZRRE-së. Ndërkaq, lidhur me këtë, përfaqësuesit e ZRRE-së, siguruan Komisionin se janë plotësisht të pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta në harmoni me Ligjin për rregullatorin e energjisë.

Top Channel