Itali-Brazil, axurrët kanë frikë nga… rrufeja!

21/03/2013 04:55

“Alitalia”, që ishte nisur nga Firence për në Gjenevë, ka përjetuar momente frike, në bordin e së cilës gjendeshin futbollistët e kombëtares italiane, që do të zhvillojnë një ndeshje miqësore kundër Brazilit.

Shumë frikë, por asnjë pasojë, teksa ekuipazhi ka qetësuar menjëherë pasagjerët. “Ishte një rrufe, por situata ka qenë gjithnjë nën kontroll”, ka thënë komandanti Roberto Andolfato.

“Sfidoj këdo që thotë ‘unë nuk kam frikë’”. E qeshura e Cesare Prandelli-t nuk e fsheh nervozizmin, e megjithatë është një mënyrë e sinqertë për të zhdramatizuar atë moment të gjatë të heshtur mes të papriturës dhe frikës, të përjetuar nga i gjithë avioni i kombëtares.

Në 18:20, kur charter-i Alitalia ishte duke zbritur mes reve mbi Gjenevë për t’u ulur, papritmas u dëgjua një zhurmë e fuqishme, një dritë vezulluese dhe kaltërsi që mund të shihej nga dritaret. Ishte një rrufe, që ra në krahun e djathtë të avionit.

“Në 24 vite udhëtime ajrore, është hera e dytë që më ndodh diçka e tillë”, ka pranuar një nga 2 stjuardesat, ndërkohë që përgjegjësi i kabinës ka shpjeguar atë që i ndodhi “axurrëve”, të cilët vazhdonin të rrinin ulur në vendet e tyre, edhe pasi rrotat kishin prekur tokën.

“Një frikësim i këndshëm në mbërritje”, ishte “cicërima” e menjëhershme e Marchisio-s në Twitter. “E tmerrshme”, ishte reagimi i Buffon. “Çfarë frike!”, shkroi El Shaarawy. Më pas, nisën shakatë për kufjet e vëna në vësh nga Balotelli, gjithmonë i izoluar në botën e tij.

“Sigurisht, situata nuk ishte e pëlqyeshme, por gjithçka është ok!”, tha Prandelli. “Nuk është hera e parë që më ndodh, mbase edhe 2-3 herë të tjera, por e pranoj: kurrë nuk ka qenë kaq e fortë. Tashmë jemi të gjithë duke qeshur, por sfidoj cilindo, që thotë se nuk pati aspak frikë…”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA