Tymi i bardhë pranë ndërtesës së shërbimit të jashtëm evropian, i cili u
duk se do të sillte marrëveshje në raundin e shtatë të bisedimeve
Kosovë-Serbi, u shua shpejt.

Pas një dite rraskapitëse negociatash për veriun e Kosovës, e vetmja “dhuratë” për ditëlindjen e ndërmjetësueses Catherine Ashton ishte shtrëngimi i parë publik i duarve mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

“Pasi kaluam gjithë ditën bashkë, tani është radha e konsultimeve, në mënyrë që të garantojmë se ajo që diskutojmë do të funksionojë dhe zbatohet në terren. Është koha e konsultimeve para se të kthehemi sëbashku më 2 prill, në takimin përmbyllës të këtyre çështjeve dhe këtij grupi diskutimesh. Ia thashë edhe dy kryeministrave se nuk mendoj për askënd tjetër më të mirë për të kaluar ditëlindjen”, tha Ashton.

Ashton inkurajoi vijimin e punës mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç edhe gjatë udhëtimit në të njëjtin avion drejt Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ndërkohë që ndërmjetësuesja e BE deklaroi se palët janë shumë pranë marrëveshjes, Daçiç dhe Thaçi përsëritën se ka ende punë.

“Unë nuk mund të them se jemi afër dhe as larg marrëveshjes, pasi vëzhgimi i situatës dhe pikëpamjet ndryshojnë vazhdimisht dhe mund të ndryshojnë në çdo moment. Por ka ende dallime, së pari në lidhje me kompetencat e komunave serbe”, tha Daçiç.

“Mund të konfirmojmë se është arritur një progres i konsiderueshëm në çështjet që janë adresuar për zgjidhje. As unë nuk mund të them që jemi shumë afër apo shumë larg, por mund të siguroj se jemi në rrugë të drejtë për të arritur marrëveshjen”, u shpreh Thaçi.

Megjithë optimizmin, nga bisedimet 12-orëshe të raundit të shtatë nuk u dha asnjë detaj, siç ka ndodhur me të gjitha bisedimet e mëparshme. E vetmja risi ishte konferenca e përbashkët për shtyp, e kërkuar nga Kryeministri serb, ku nuk u pranuan pyetjet e gazetarëve. Raundi i 8-të dhe i fundit nga ku pritet të dilet me një marrëveshje për çështjen e veriut të Kosovës zhvillohet më 2 prill.

Pergatiti ERNEST BUNGURI

Gjermania: Serbia të tregohet fleksibël

Andreas Schockenhoff, shefi i një delegacioni të Bundestagut gjerman që po viziton Beogradin, ka deklaruar se marrëveshjet për heqjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës janë të domosdoshme.

Schockenhoff ka porositur lidershipin serb që të tregojë fleksibilitet maksimal dhe gatishmëri për kompromis me Prishtinën në lidhje me kompetencat e bashkësisë së komunave serbe.

Në një intervistë për të përditshmen “Veçernje Notosti”, ai ka thënë gjithashtu se nevojitet një angazhim i mëtejshëm rreth implementimit të reformave të nevojshme.

“Natyrisht, Serbia duhet të tregojë një vullnet të mirë që të ecet drejt një marrëveshjeje kyçe, përkatësisht drejt një modeli të detyrueshëm për marrëdhëniet Beograd-Prishtinë”, ka deklaruar Schockenhoff.

“E përsëris se nënshkrimin e një marrëveshejej të tillë e presim gjatë këtij proçesi dialogu. Për momentin ajo nuk ka ardhur”, ka vijuar politikani gjerman. 

Top Channel