Australi, Gillard mbetet në krye të partisë

21/03/2013 00:00

Kryeministrja australiane Julia Gillard deklaroi se lidershipi i Partisë
Laburiste ka sheshuar të gjitha mosmarrëveshjet, pasi rivali i saj
Kevin Rudd kërkoi një votim në radhët e grupit.

Zonja Gillard organizoi votimin pasi një deputet i vjetër deklaroi se debati mbi personin që duhet të drejtojë laburistët në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit duhet të zgjidhet.

Por zoti Rudd, i rrëzuar nga Gillard në vitin 2010, refuzoi ta sfidonte atë. Ish-kryeministri tha se nuk gëzonte mbështetje të mjaftueshme. “Unë besoj tek mbajtja e fjalës”, tha ai duke iu referuar deklaratës për të mos sfiduar zonjën Gillard.

“Unë kam thënë gjithashtu se rrethanat e vetme nën të cilat do të shqyrtoja rikthimin tim si lider do të ishte një kërkesë e shumicës së partisë për një gjë të tillë. Por kjo rrethanë nuk ekziston”, deklaroi Rudd.

Votimi, që erdhi pas disa ditë spekulimesh mbi lidershipin e laburistëve, ishte programuar për t’u mbajtur rreth orës 16:30, me orën lokale, por vetëm pak minuta para tij zoti Rudd bëri të ditur qëndrimin e tij. Për rrjedhojë, zonja Gillard nuk pati asnjë kundërshtar në këtë sfidë.

“Sot lidershipi i partisë sonë, Partisë Laburiste, është një çështje e zgjidhur në mënyrën më absolute. E tërë çështja ka mbërritur në fund. Ndërkohë, ka shumë punë për t’u bërë deri në zgjedhje”, tha Gillard.

Gjithësesi, sondazhet tregojnë se Rudd ka më shumë mbështetje publike se Gillard, që sipas anketave ka gjasa të humbasë zgjedhjet kundrejt Partisë Liberale të Tony Abbott.

Rudd ka mbetur si një “shkop në rrotat” e Gillard që kur ajo e rrëzoi atë nga posti i kryeministrit në vitin 2010. Ai e sfidoi atë për lidershipin e partisë në shkurt 2012, por humbi me 31 vota pro dhe 17 kundër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA