Në Bruksel vijojnë bisedimet mes kryeministrave të Serbisë dhe të Kosovës për zgjidhjen e çështjes së veriut.

Raundi i 7 i dialogut nisi rreth orës 11:00 paradite, menjëherë me një takim trepalësh Thaçi-Daçiç-Ashton, i cili zgjati rreth dy orë.

Më pas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së zhvilloi takime të veçanta me kryeministrat, për t’i kthyer sërish në tryezën e bisedimeve rreth orës 15:30.

Qëllimi është arritja e pajtueshmërisë për kompetencat e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë. Ndërsa Beogradi kërkon fuqi ekzekutive dhe legjislative për këtë formacion, Prishtina deri më sot e ka refuzuar një gjë të tillë, duke këmbëngulur për zgjidhje brenda Kushtetutës së vendit.

Edhe takimi trepalësh i pasdites zgjati rreth dy orë, e pas një ndërprerjeje për më tepër se një orë, kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç janë ulur sërish në tryezën e bisedimeve me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së.

Nga arritja dhe zbatimi i marrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës varet edhe integrimi europian i dy vendeve, ndërkohë që palëve nuk u ka mbetur shumë kohë nga publikimi i raportit të pritshëm të Komisionit dhe Shërbimit të Jashtëm të BE-së për vendet anëtare më 16 prill.

Disa ditë më parë, baronesha Ashton u shpreh optimiste se Prishtina dhe Beogradi do të mund të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“Mendoj se është e mundur që ata të arrijnë një marrëveshje. A janë të gatshme palët ose jo, kjo do të varet nga gjetja e mënyrës për të tejkaluar disa probleme të vështira që ato kanë”, tha Ashton.

Pritjet e Prishtinës nga bisedimet

Gjatë kohës që po zhvillohej takimi i shtatë në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave, partitë politike në Kosovë kanë shprehur pritje të ndryshme nga ky takim.

Zëvëndëskryeministri Behgjet Pacolli tha se shpreson që do të ketë një marrëveshje nga ky takim, që sipas tij do të hapë perspektivë për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ndërkaq, i pyetur nëse marrëveshjet e mundshme duhet të vijnë në Kuvend për ratifikim, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci deklaroi se nuk kishte ndonjë informacion që do të ketë ndonjë marrëveshje të nënshkruar, sepse ende nuk kishte ndonjë draft/marrëveshje.

Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjuca u shpreh se, çfarëdo marrëveshjeje që mund të arrihet në këto negociata, rezultati tashmë është i qartë, flitet për një pjesë të territorit të Kosovës.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani tha se proçesi i dialogut duhet dhe do të përfundojë së shpejti me marrëveshje që mund të jetë vetëm në kuadër të Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA