Një shpërthim është regjistruar të martën në mbrëmje rreth orës 20.40,
në rrugën “Armata Jugosllave”, përkatësisht para portës hyrëse të
oborrit të stacionit policor në Leposavic, duke shkaktuar dëme materiale
sipërfaqësore.

Në bazë të raporteve të para policore të siguruara nga hetuesit policor mësohet se mjeti shperthyes i cili nën rrethana ende të pasqaruara ka shpërthyer disa metra larg ndërtesës policore, përkatësisht në afërsi portës hyrëse të oborrit, ka shkaktuar dëme materiale në së paku 10 xhamat e dritareve të stacionit si dhe në dy xhamat anësor të një automjeti civil të parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.

Nuk është raportuar për persona të lënduar.Sigurimi i vendit të ngjarjes është mbuluar fillimisht nga njësitë e stacionit Leposaviq ndërsa këqyrjen e vendit të ngjarjes janë duke e bërë njësitë përkatëse hetimore të drejtorisë rajonale në Mitrovicë.

Dyshohet se mjeti shpërthyes i aktivizuar në këtë rast, mund të jetë një granate dore njofton policia.

EULEX-i dënon sulmin
 
EULEX-i dënon fuqishëm sulmin e të martës me granatë dore në stacionin e policisë në Leposavic. Ky veprim i dhunshëm dëshmon qartë se një grup i caktuar njerëzish janë të gatshëm që ta rrezikojnë sigurinë e komunitetit lokal dhe ta pengojnë zbatimin e sundimit të ligjit. Këto vepra janë kërcënim i drejtpërdrejtë i paqes dhe stabilitetit, si dhe ndikojnë thellësisht në qytetarët e rëndomtë.
 
“Ky ishte një sulm i qartë kundër sundimit të ligjit dhe si i tillë është absolutisht i papranueshëm. Policët janë përgjegjës për sigurinë e qytetarëve të rëndomtë, prandaj sulmi me granatë dore në stacionin e policisë është sulm kundër qytetarëve. Kjo praktikë duhet të ndalet dhe kryerësit duhet të sillen para drejtësisë,” tha Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt.

Task Forca e EULEX-it për Mitrovicën dhe Policia e Kosovës i kanë filluar hetimet për gjetjen e kryerësve të këtij sulmi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta