Shefja e FMN-së akuzohet për abuzim me pushtetin

20/03/2013 15:30

Përmes avokatit të saj, shefja e FMN-së Christine Lagarde mohoi akuzat e kritikëve për abuzim me pushtetin.

Policia franceze kontrolloi apartamentin e saj në Paris, në kuadrin e një hetimi lidhur me rolin e zonjës Lagarde në një marrëveshje të debatueshme arbitrazhi, që përfundoi në favor të një biznesmeni të pasur francez.

“Kërkimet do të ndihmojnë të dalë në dritë e vërteta, – i tha agjencisë së lajmeve Reuters, Yves Repiquet, – dhe do të kontribuojnë të shfajësohet klientja ime nga çdo akuzë”.

Hetimet e policisë po përqendrohen mbi rolin e drejtueses së Fondit Monetar Ndërkombëtar në kompensimin e biznesmenit Bernard Tapie në 2008-tën. Lagarde, asokohe ministre e Financave, ia kaloi për shqyrtim një paneli arbitrazhi çështjen e tejzgjatur të mosmarrëveshjeve të tij me bankën “Credit Lyonnais”, dhe Tapie përfitoi një dëmshpërblim prej 400 milionë eurosh.

Biznesmeni ishte simpatizant i ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, dhe hetuesit dyshojnë se marrëveshja në favor të tij ishte një lloj shpërblimi për mbështetjen e dhënë ish-kreut të Elizesë në zgjedhjet e 2007-tës.

Sipas BBC-së, në Francë ka spekulime se Lagarde mund të vendoset zyrtarisht nën hetim për këtë çështje.

Dyshimet mbi rolin e saj kanë nisur që përpara se ajo të emërohej në postin e drejtoreshës së FMN-së. Bernard Tapie është një figurë e njohur në Francë, i cili ka fituar dhe më pas ka humbur shuma të mëdha duke blerë, menaxhuar dhe shitur kompani dhe ekipe sportive.

Tapie e kishte paditur “Credit Lyonnais” për mënyrën se si menaxhoi në 1993-shin shitjen e firmës së veshjeve sportive Adidas, ku ai ishte aksioner kryesor.

Top Channel