Kandidati i PDSH-së për Strugën, Ziadin Sela ka ftuar qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje më 24 mars, për t’i treguar Nikolla Gruevskit se Struga ka qenë dhe do të mbetet e shqiptarëve dhe se nga Struga nis Shqipëria.

Kjo porosi e Selës vjen disa ditë pasi kryeministrit Gruevski ftoi gjithë maqedonasit që të votojnë kundër kandidatëve shqiptarë, për të treguar se Struga ka qenë dhe do të mbetet Maqedoni.

“Nikolla Gruevskave që na japin porosi do t’u tregojmë të gjithë më 24 mars që Struga ka qenë, është dhe do të jetë shqiptare. Dhe ne do të punojmë që në Strugë, gjithmonë e më tepër, të ketë shqiptarë. Këtyre të paudhëve u duhet dhënë një mesazh i fortë më 24 mars”, ka deklaruar Sela.

Duke folur para struganëve, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë se, për të fituar shqiptarët në raundin e parë Strugën, BDI duhet ta tërheqë kandidatin e vet nga gara dhe të mbështesë kandidaturën e Ziadin Selës.

“BDI nuk e respekton, nuk e vlerëson, por e nënçmon tërheqjen tonë nga Kërçova. Ata nuk kanë reflektim moral për shkak se definitivisht duhet ta tërheqin kandidaturën e tyre nga Struga. Ka qenë dëshirë e gjithë shqiptarëve që Ziadini të kandidohet në Strugë dhe të jetë simbolika e ringjalljes dhe rimëkëmbjes sonë. Këtë qeveri nuk do ta rrëzojë opozita maqedonase, por opozita shqiptare, e cila do t’i fitojë zgjedhjet”, ka thënë Thaçi.

Fushata elektorale në Maqedoni  ka hyrë në fazën përfunditmare. Të premten pas mesnate fillon heshtja parazgjedhore për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen ditën e diel. Qytetarët do të votojnë për kryetar dhe këshilltarë komunalë në 80 komuna dhe qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë administrative.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA