Obama, drejt Izraelit për të parën herë

20/03/2013 03:50

Barack Obama do të udhëtojë drejt Izraelit, duke shënuar vizitën e parë në Lindjen e Mesme si president i SHBA-së, mes protestave dhe sigurisë së lartë në Izrael dhe territoret palestineze.

Lufta në Siri dhe shqetësimet në lidhje me ambiciet bërthamore të Iranit do të zënë pjesën më të madhe të bisedimeve, thonë korrespondentët.

Por zyrtarët amerikanë po përpiqen të ulin pritshmëritë se Obama do të synojë të bëjë ndonjë hap domethënës në lidhje me rinisjen e bisedimeve të paqes mes Izralit dhe Palestinës.

Mbështetës e paqes janë një forcë e madhe në koalicionin e ri qeverisës të Izraelit. Gjithsesi, korrespondentët thonë se izraelitët janë më shumë të shqetësuar në lidhje me destabilizimin e rajonit të Lindjes së Mesme, sesa për dhënien e një “jete te re” procesit të paqes, që u prish në 2010-n, mes grindjeve për ndërtimet e vazhdueshme të Izraelit.

Obama do të takojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, gjatë vizitës së tij 3-ditore.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është aktualisht në Lindjen e Mesme, duke u përgatitur për mbërritjen e presidentit.

Në Amerikë, Obama është kritikuar për moskryerjen e asnjë vizite në Izrael gjatë mandatit të tij të parë, teksa disa sugjerojnë se ai nuk ndihet shumë i afruar me këtë vend, raporton një korrespondent i BBC-së në Amerikën e Veriut, po që aktualisht ndodhet në Jeruzalem.

Mijëra oficerë sigurie nga Izraeli dhe Palestina janë në gadishmëri në Jeruzalem, si dhe në kryeqytetin “de facto” të Ramallahut, në West Bank, përpara vizitës së tij.

Situata ekonomike dhe problemet sociale dominuan fushatën e fundit elektorale të Izraelit, ndaj dhe presidenti ka thënë se nuk po shkon në këtë rajon, i pajisur me ndonjë plan të madh për paqe.

Top Channel