SHBA, “kriset” plani për ndalimin e armëve

19/03/2013 21:35

Ligjvënësit amerikanë do të heqin kategorinë e armëve automatike nga plani për ndalimin e armëve të zjarrit, që ishte pjesë e fushatës së gjerë të ndërmarrë pas masakrave të ndryshme në shkollat e Shteteve të Bashkuara.

Një armë automatike e rëndë u përdor në masakrën e dhjetorit në shkollën e qytezës së Njutaunit, në Konektikat, ku u vranë 26 persona, shumica e të cilëve fëmijë. Ngjarja tronditi Shtetet e Bashkuara dhe ringjalli përpjekjet për ndalimin e armëve të tilla.

Por ndërsa sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve e mbështesin ndalimin e armëve automatike, grupet lobiste pro-armëve, si National Rifle Association, kanë bërë presion mbi ligjvënësit që të mos e mbështesin një lëvizje të tillë.

Propozimi për të ndaluar armët automatike kërkon 60 vota nga 100 anëtarët e Senatit për t’u miratuar, veprim që sipas analistëve ka pak gjasa që të ndodhë. Propozimi në fjalë me zor kaloi në panelin e Senatit javën e kaluar, duke nxjerrë në pah shanset e pakta për një miratim të tij.

Ai ishte një nga 4 masat e kontrollit që u votuan në panel, duke përfshirë: ashpërsimin e kontrolleve për njerëzit që blejnë armë, ashpërsimin e ndëshkimit për trafikun ilegal të armëve dhe shtimin e financimeve për sigurinë në shkolla.

Top Channel